Gabigol shijon golin e parë, nderon Interin

Ndaj Bolognës debutoi me fanellën e Interit në Serinë A, ndaj Bolognës në Kupën e Italisë luajti sfidën e tij të parë si titullar dhe sërish ndaj Bolognës në “Dall’Ara”, ashtu si fenomeni Ronaldo më 1997-tën, Gabriel Barbosa i njohur nga të gjithë si Gabigol realizoi golin e tij të parë me Interin. Falë brazilianit zikaltërit mposhtën 1-0 skuadrën e Roberto Donadonit në transfertë duke vijuar ecurinë pozitive në kampionat.
Në “Dall’Ara”, Interi i Piolit regjistroi fitoren e 9-të në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit, duke u ngjitur në kuotën e 48 pikëve, për të shpresuar deri në fund te kualifikimi në Champions League për sezonin tjetër. Në “Dall’Ara”, Interi nuk luajti mirë, por u tregua një skuadër racionale duke koleksionuar 3 pikëshin e radhës. Pa kapitenin Icardi të skualifikuar, peshën e sulmit duhet ta mbante Palacio i mbështetur nga Perisic dhe Eder.
Vitet e shumta mbi supe kanë filluar të rëndojnë te argjentinasi, i cili nuk është më aq efikas përpara portës. Në të 12-tën Palacio me portën e boshatisur humbi një gol të sigurtë. Ky ishte rasti më i mirë i Interit në pjesën e parë, ndërkohë Bologna provoi të vendoste në vështirësi Handanovic-in me disa goditje nga distanca. Në të 58-tën ishte Eder që goditi dobët duke humbur një rast ideal, ndërsa tentativa e Perisic pak minuta më vonë përfundoi për fare pak jashtë kuadratit.
Interi gjithsesi arriti të gjente golin e avantazhit në minutën e 81-të, me Gabriel Barbosën që i ardhur në fushë nga stoli e pati të thjeshtë të devijonte në rrjetë një top perfekt të marrë nga D’Ambrosio. Në fund duhej dhe një ndërhyrje shpëtimtare e Handovic ndaj Torosidos për të ruajtur avantazhin.

Exit mobile version