Dy gola në dy ndeshjet e fundit. Armando Sadiku mbetet vendimtar për shpresat e Luganos, në garën për mbijetesën në Superligën zvicerane. Pas rrjetës së javës së kaluar, sulmuesi kuqezi shënoi sërish edhe këtë të dielë, në barazimin 1-1 që Lugano arriti në fushën e Vaduzit. Në minutën e 65-të, Sadiku devijoi topin me trup drejt rrjetës, duke rikthyer baraspeshën dhe i dhuroi një pikë me shumë vlera skuadrës së Paolo Tramexanit.
Në këtë mënyrë, Lugano i mbijetoi duelit direkt për mbijetesë me Vaduzin, ndërsa Sadiku ndëshkoi ish-skuadrën e tij, të cilën një sezon më parë e shpëtoi nga rënia nga kategoria. Gola dhe emocione në derbin e shqiptarëve, ku Baseli i Taulant Xhakës fitoi 4-3 me përmbysje përballë Luzanës së Benjamin Kolollit. Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës ishte protagonist absolut për miqtë, duke shënuar dy nga tre golat e avantazhit të përkohshëm 1-3.
Por, Baseli u kthye në lojë, prej golit të minutës së 72-të, ku Taulant Xhaka veproi në mënyrë të shkëlqyer nga e majta e sulmit, pasi te Eliunusi, goditja e të cilit u devijua nga Doumbia dhe përfundoi në rrjetë duke rihapur lojën.
Dy minuta më pas Baseli riktheu baraspeshën me Akanji-n, ndërsa sulmuesi veteran Marc Janko realizoi golin e fitores në të 84-tën. Me këtë sukses, skuadra e Taulant Xhakës vijon shkëputjen në krye të Superligës zvicerane dhe tashmë e sheh veten 17 pikë larg Young Boys-it të vendit të dytë.
Në Superligën greke, Ergys Kaçe është rikthyer në fushë për herë të parë pas katër muajve mungesë. Mesfushori shqiptar luajti si titullar dhe qëndroi në fushë përgjatë gjithë ndeshjes, në fitoren 4-0 që PAOK-u i Selanikut regjistroi përballë Verias. Ndeshja e fundit ku Kaçe ishte aktivizuar në këtë sezon ishte më 15 tetor 2016, kur luante i huazuar në Çeki te Viktoria Plzen.