Gaboi kundër Realit, Ulreich: Tani s’mund ta kap topin me dorë…

Portieri i Bayern Munich, Sven Ulreich, tha se gabimi i tij kundër Real Madridit pasqyron fatin e një portieri, pasi çdo dështim në atë rol, zakonisht është fatal, veçanërisht nëse ndodh në një ndeshje të tillë gjysmëfinale.
“Është fati i portierit. Nëse gabon si sulmues, nuk është aq keq. Si mbrojtës qendror është më keq, ndërsa gabimi si portier do të thotë menjëherë gol, – tha Ulreich për gazetën “Bild”. – Për tetë muaj nuk bëra gabime dhe tani më ndodhi. Eshtë për të ardhur keq, që kalova një situatë të tillë”.
Ulreich, si zëvendësues i të lënduarit Manuel Neuer, ka pasur një sezon të madh dhe madje është zgjedhur si lojtar i vitit te Bayern. Në intervistën me “Bild”, Ulreich përmblodhi gabimin e tij dhe tha se kur pa pasimin mbrapa të Corentin Tolisso, ai fillimisht kishte ndjenjën se Karim Benzema do të arrinte më shpejt te topi.
“Unë e përgatita veten për një situatë një kundër një, por ai e la topin të kalojë dhe mendova: mut, tani nuk mund ta kap topin me dorën time. Doja të luaja me këmbë, por as kjo nuk funksionoi”, shtoi portieri.
Ulreich tha se, pas eliminimit, sjellja e shokëve te Bayern Munich ndaj tij ka qenë e shkëlqyer: “Djemtë kanë qenë të mrekullueshëm, të gjithë më kanë thënë se jemi një ekip dhe se eliminimi nuk është shkaktuar nga gabimi im”.

Exit mobile version