Gafa e portierit!

Etrit Berisha nuk do ta harrojë lehtë minutën e 55 të ndeshjes kundër Spanjës, kur një largim i gabuar i topit u dha mundësinë spanjollëve të gjenin rrugën e rrjetës. Portieri shkatërroi gjithçka të mirë që kishte bërë deri në ato momente me pritjet e tij dhe normalisht, mori edhe kritika për këtë veprim të pamenduar mirë.
Listës së kritikëve u janë shtuar edhe FIFA dhe UEFA, nëpërmjet përmbledhjeve të ndeshjeve të mbrëmshme të kualifikuesve të Botërorit, ku kanë etiketuar atë episod si momentin që vendosi gjithçka në duelin ndaj iberikëve. “Spanja kapërceu Shqipërinë në majë të Grupit G falë një fitoreje të siguruar me durim në fushën e skuadrës që kryesonte më parë. Djemtë e Julen Lopeteguit gëzuan 73% të mbajtjes së topit në pjesën e parë, por e kishin të vështirë të rrezikonin rivalët e tyre të mirëorganizuar, para se një gabim nga Etrit Berisha t’i lejonte Diego Kostas të thyente barazinë, ndërsa më pas zëvendësuesi Nolito dyfishoi avantazhin”, shkruhet në artikullin që i kushton UEFA ndeshjes në fjalë.
Më i ashpër në cilësimin për portierin është artikulli i FIFA-s. “Etrit Berisha prodhoi një pjesë të parë madhështore për të dëshpëruar disa spanjollë, por ishte gafa e portierit ajo që i dhuroi Kampionëve të Botës 2010 golin e avantazhit, kur David Silva u tregua shumë altruist, duke i mundësuar Diego Kostas të shënonte. Nolito, vetëm pak minuta pasi hyri në fushë, mbylli diskutimet me mjaft stil, duke mbajtur Spanjën mbi Italinë falë diferencës së golave”.
Ndërkohë, trajneri Xhani De Biazi e pranon që objektivi i Kombëtares shqiptare është vendi i tretë në Grupin G, për kualifikueset e kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Në një intervistë për radion italiane “Radio 1”, tekniku kuqezi u shpreh se, skuadra jonë nuk mendon për vendin e dytë në grup, edhe pse do të provojë ta arrijë. “Besoj se Spanja ka diçka më tepër dhe do ta fitojë grupin. Edhe Italia është në një nivel më të lartë, ndërsa ne dhe Izraeli do të luajmë për vendin e tretë. Ne nuk mendojmë për vendin e dytë, edhe pse do provojmë ta arrijmë”, tha 60-vjeçari.
Duke komentuar humbjen 2-0 ndaj Spanjës mbrëmë në Shkodër, De Biazi deklaroi: “Të luash kundër Spanjës sot është shumë e vështirë për këdo skuadër. Këtë e provoi edhe Italia. Spanjollët janë një ekip me një grup të përbërë nga lojtarë që vijnë kryesisht nga Reali i Madridit dhe Barcelona. Mbrëmë ne nuk mundëm t’u kundërpërgjigjeshim zotërimit të topit nga ana e tyre siç bëmë me Portugalinë para dy vitesh”.

Exit mobile version