Lajme jo të mira për Realin e Madridit. Në fitoren 2-0 që arriti Spanja në Shkodër ndaj Shqipërisë, mbrojtësi Sergio Ramos pësoi një dëmtim që do të mbajë jashtë fushave të futbollit për disa javë. Mungon ende konfirmimi i shkallës së dëmtimit që mbrojtësi i Los Blancos pësoi në gju, por mediat që qëndrojnë pranë klubit të Realit raportojnë se lojtari do të humbasë të paktën 4 ndeshje të La Ligas dhe 2 të tjera në Champions League me klubin merengues.
Ramos, i cili u largua nga fusha i dëmtuar në pjesën e dytë të takimit ndaj Shqipërisë mund të rikthehet i gatshëm vetëm përpara sfidave të kombëtares spanjolle në muajin nëntor, takimin kualifikues ndaj Maqedonisë dhe miqësoren e luksit ndaj Anglisë. Gjithçka do të jetë në dorë të trajnerit të La Rojas, Julen Lopetegui, i cili do të jetë ai që do të vendosë nëse do ta grumbullojë 30-vjeçarin për këto 2 ndeshje. Kapiteni i Los Blancos do të humbasë në këtë mënyrë sfidat e kampionatit ndaj Real Betis, Atletic Bilbaos, Deportivo Alaves dhe Leganes si dhe dy takimet e Championsit ndaj Legias së Varshavës për t’u kthyer në dispozicion të trajnerit Zinedine Zidane për derbin e Madridit ndaj Atleticos, që do të zhvillohet në 20 nëntor.