Rruga nga gjimnazi në universitet kalon përmes provimeve të maturës shtetërore, ku rezultatet në secilën lëndë luajnë një rol vendimtar. Edhe pse lëndët e detyruara janë të rëndësishme, janë pikërisht lëndët me zgjedhje ato që përcaktojnë drejtimin universitar dhe, rrjedhimisht, profesionin e ardhshëm. Duke marrë shkas nga nisja sot e provimit të parë të maturës, gjuhës së huaj, “Scan Intel” ka analizuar rezultatet e lëndëve me zgjedhje për vitin e kaluar, për të kuptuar se si janë paraqitur maturantët në ato disiplina që vetë i kanë zgjedhur.
Sipas të dhënave të “Qendrës së Shërbimeve Arsimore”, ndër lëndët më të preferuara ka qenë Ekonomia me 9,135 maturantë, ndjekur nga Qytetari dhe Psikologji me 7,647 dhe Biologjia me 4,331. Në krahun tjetër, Kimia rezulton me interesin më të ulët, vetëm 161 maturantë.
Këto prirje përkojnë edhe me të dhënat e regjistrimeve në universitete, ku degët e biznesit, administrimit dhe ligjit mbeten ndër më të preferuarat.
Por, ajo që bie në sy është kontrasti midis popullaritetit të një lënde dhe rezultateve të arritura në të: lëndët që zgjidhen nga më shumë maturantë kanë, në përgjithësi, nota më të ulëta. Për shembull, Gjeografia ka një mesatare prej vetëm 5.79, Qytetaria 6.51 dhe Historia 6.69. Ndërkohë, lëndë më pak të përzgjedhura si Kimia apo Fizika, shënojnë mesatare dukshëm më të lartë.
Pse ndodh kjo?
E para mund të shpjegohet me konkurencën më të ulët si pasojë e numrit më të madh të maturantëve që e kanë zgjedhur. Një arsye tjetër lidhet me faktin se shumë maturantë zgjedhin lëndët shoqërore sepse perceptohen si më të “lehta” apo më të sigurta, edhe pse mund të mos kenë përgatitjen e duhur. Ndërkohë, lëndët shkencore apo ekzakte zgjidhen zakonisht nga ata që kanë prirje, motivim dhe përgatitje më të mire, që reflektohet në nota më të larta.
Për vitin 2024, kalueshmëria në lëndët e detyruara ishte mbi 99%, por është pikërisht performanca në lëndët me zgjedhje ajo që bën diferencën midis një vendi në degën e ëndërruar./SCAN