Shkëlzen Gashi ka qenë një ndër protagonistët e Kolorado Rapids, duke e ndihmuar skuadrën nga Denveri të sigurojë pjesëmarrjen në “play off” katër javë para përfundimit të sezonit të rregullt.
Pasi ka fituar një sërë çmimesh gjatë muajve të fundit, një tjetër vlerësim vjen për sulmuesin shqiptar. Gashi është përzgjedhur mes pesë kandidatëve për çmimin “Debutuesi i Vitit”, që vlerëson lojtarin më të mirë në sezonin e tij të parë në ligën amerikane të futbollit (MLS).
28-vjeçari ka shënuar tetë gola dhe ka kontribuar me katër asiste, shifra pozitive duke pasur parasysh faktin që Gashi nuk ka luajtur si sulmues i parë, si dhe ka qëndruar pa luajtur për disa javë si pasojë e një dëmtimi.
Ai vlerësohet nga mediat amerikane për nuhatjen para portës dhe gjuajtjet nga larg, ndërsa si pikë e dobët cilësohet pamundësia e tij për të dhënë pasin e fundit brenda zonës.
Sezonin e shkuar çmimi shkoi për italianin e Torontos, Sebastian Xhovinko, ndërsa rivalët e Shkëlzen Gashit këtë vit janë: mbrojtësi anglez Eshli Kol (Los Anxheles Galaksi); mesfushori ekuadorian Karlos Gruezo (FC Dallas); mbrojtësi belg Zhoel van Dam (Los Anxheles Galaksi) dhe mesfushori uruguaian Nikolas Lodeiro (Siatëll Saunders).