Show i radhës i Ramës me Vuçiç një pabesi ndaj Kosovës

Një show folklorik i Ramës me Kryeministrin Vuçiç është zhvilluar dje në Beograd për qëndrimin mbi Trepçën. Përmes këtij show Rama synon që të marrë pozat e heroit para shqiptarëve të Kosovës dhe po ashtu Vuçiç të marrë të njëjtat poza para serbëve. Kjo sepse në thelb, pabesia e të dyve ndaj Kosovës është diku tjetër. Është tek mënjanimi i faktorit Kosovë si shtet i pavarur në debate dhe dialogë të tillë. Kjo është një tezë e hershme e Serbisë, kartën e të cilës Rama po e luan prej kohësh në shërbim të Beogradit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një debati në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd, të enjten ka kërkuar nga Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, që Serbia ta njohë Kosovën sa më parë.
“Qëndrimi im është që Serbia duhet sa më parë ta pranojë Kosovën, sepse kështu do të jetë më mirë për të gjithë”, tha zoti Rama, dhe ka shtuar se, “ekziston procesi, të cilin e mbështes, e ky është dialogu, që është mjet i rëndësishëm për të ardhmen”.
Ai ka përsëritur se Kosova është çështje për të cilën Shqipëria dhe Serbia nuk pajtohen, ndërsa njëra nga çështjet aktuale e këtyre mospajtimeve, është pronësia e kombinatit Trepça.
Zoti Rama e ka shtruar pyetjen se ndoshta Serbia “dëshiron që ta transferojë” këtë ndërmarrje dhe theksoi se Trepça gjendet në territorin e Kosovës.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë se Trepça është xeherore në territorin e Kosovës dhe iu takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht se a janë shqiptarë apo serbë”, tha Edi Rama.
Gjatë debatit, Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Beogradi do ta vazhdojë dialogun me Prishtinën.
“Kam shumë argumente të them se pala tjetër është fajtore, por këtë nuk do ta them”, tha Vuçiç dhe ka shtuar se, “konkludimi im është se do ta vazhdojmë dialogun në mënyrë energjike dhe të përkushtuar, sepse ky është kusht për zhvillim të të gjithë rajonit, përmirësimit të standardit në Serbi dhe këtë duhet ta bëjmë për të ardhmen e raporteve serbo-shqiptare, që janë dy kombet më të mëdha në Ballkan”.
Duke u shprehur për arrestimin e zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, Vuçiç ka theksuar se edhe ai si Kryeministër i Serbisë ka mundur që si argument kyç për ndërprerjen e dialogut ta përdorë rastin e Oliver Ivanoviçit, i cili tash e dy vjet e gjysmë gjendet në burg në Mitrovicë.
“A mendoni me të vërtetë se dikush për shkaqe politike e ka arrestuar Thaçin”, e ka shtruar pyetjen Aleksandar Vuçiçi dhe ka shpjeguar se ai është arrestuar “në bazë të një fletarresti të vitit 1997”.
Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar një rezolutë, me të cilën kërkon lirimin e menjëhershëm të drejtorit rajonal të policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.
Duke u shprehur për integrimet euroatlantike, Aleksandar Vuçiç, tha se në mesin e popullit ekziston një mbështetje e gjerë për prani më të madhe të Rusisë në Serbi.
“Ju kam thënë qytetarëve se jam Kryeministër derisa jemi në rrugën evropiane, por njëherësh do të punoj për t’i ruajtur raportet e mira me Rusinë”, tha Vuçiç.
Për procesin e integrimit evropian, zoti Vuçiç, ka theksuar:
“Ne nuk duhet të turpërohemi se jemi nga Ballkani… por problemi është se shumë njerëz duhet ta kuptojnë vullnetin e popullit dhe atmosferën e përgjithshme, që të gjithë ne e kemi keqkuptuar, së bashku me udhëheqjen evropiane”, tha Vuçiç, dhe ka shtuar se në Ballkan po shtohet nacionalizmi.
Duke u shprehur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Kryeministri i Shqipërisë, Rama tha se, ky proces është “rrugë e modernizimit”.
“Mendoj se ne, së paku këtu në Ballkan, duhet ta kemi të qartë një pikë të thjeshtë. Procesi i Bashkimit Evropian për ne nuk është udhëtim për të shkuar diku, por është rrugë e modernizimit, e cila është e mundshme për shoqëritë tona, që ta plotësojmë hendekun kah e ardhmja. Kjo është e mundshme vetëm nëpërmjet procesit të integrimit evropian”, tha Edi Rama.

Exit mobile version