Shkëlzen Gashi kthehet të luajë te Colorado Rapids, pas angazhimit me kombëtaren shqiptare në Kampionatin Europian. Sulmuesi kuqezi ishte titullar në ndeshjen ku skuadra nga Dallasi barazoi pa gola përballë Portland Timbers. Në minutat e para të sfidës, Gashi kishte një shans të shkëlqyer për të shënuar, por 27-vjeçari nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë edhe pse u shfaq i vetëm me portierin.
Edhe Portland mund të kishte realizuar, megjithatë portieri Tim Howard, i rikthyer në Major League Soçer pas 13 vjetëve në elitën e futbollit anglez me Manchester United dhe Everton ishte me fat. Shkëlzen Gashi qëndroi në fushë për 67 minuta, për t’i lënë më pas vendin mesfushorit nga Guatemala, Marco Pappa, ndërsa ndeshja nuk u zhbllokua deri në fund.
Me këtë barazim, Colorado ngjitet në kuotën e 33 pikëve në renditje, por humbi vendin e parë në Konferencën e Perëndimit, aty ku skuadra e Dallasit ka një pikë më tepër, megjithatë Rapids kanë dy ndeshje për të rikuperuar në krahasim me kryesuesit.