Gati kalimi i Sadikut te Lugano

Armando Sadiku drejt Luganos. Ato që nisën si spekulime të merkatos apo dëshira për ta pasur në skuadër e ish-asistentit kuqezi, Paolo Tramezzani, tashmë ka nisur të konkretizohet. Në ditën e prezantimit zyrtar të Tramezzanit te Lugano, në aventurën e tij të parë si trajner, interesimit të mediave nuk mund t’i mungonte synimi për të blerë sulmuesin shqiptar.
Me bisedimet që vijojnë, tekniku nuk dëshiroi të fliste konkretisht rreth situatës në merkato, por ai që dha detaje mjaft të rëndësishme ishte presidenti i Luganos, Angelo Renzetti. Drejtuesi më i lartë i klubit të Superligës zvicerane tha se “gjithçka është gati për afrimin e Sadikut te Lugano”. “Zyrihu është dakord. Edhe lojtari dëshiron të kthehet, por më parë Lugano duhet të largojë disa futbollistë. Nëse nuk do të ishte për këtë, do të shkoja menjëherë ta merrja Sadikun”, deklaroi Renzetti.
Prej emërimit të Tramezzanit në stol, Lugano doli në mënyrë të papritur në “pole” për shërbimet e bomberit 25-vjeçar, pavarësisht interesimit nga Palermo në Itali.
Fakti që lojtari e njeh skuadrën, pasi ka luajtur aty në sezonin 2012-2013 dhe lidhja e fort me trajnerin janë baza të forta që transferimi i tij të realizohet dhe Armando Sadiku të kthehet të luajë në elitën e futbollit zviceran.

Exit mobile version