Etrit Berisha i ka djegur të gjitha etapat e rikuperimit, pas operacionit në menisk. Portieri shqiptar është kthyer të stërvitet me grupin dhe duket gati për ndeshjen e parë të Atalantës në Serinë A për vitin 2017. Për sfidën e së dielës, më 8 janar në fushën e Chievo-s, gardiani shqiptar pritet të luajë titullar, duke rimarrë vendin në formacion nga Sportiello. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e Berishës i takon trajnerit Gasperini, që gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve në qendrën stërvitore të Zingonia-s do të vlerësojë me kujdes formën e portierëve.
Sipas mediave pranë klubit bergamask, kuqeziu është favorit për të zbritur në fushë nga minuta e parë, ndërsa rikthimi i tij në formacion mund të vulosë përfundimisht nxjerrjen në shitje të Sportiellos gjatë merkatos së janarit, me këtë të fundit që pëlqehet nga Napoli dhe Lazio.
Etrit Berisha iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në gju më 7 dhjetorin e kaluar, duke mbyllur përpara kohe 2016-ën. Portieri i lindur në Prishtinë tashmë është gati për ta nisur vitin e ri aty ku u ndërpre i vjetri: me paraqitje të jashtëzakonshme mes shtyllave, duke qenë një prej lojtarëve më të spikatur të kampionatit italian në gjysmën e parë të sezonit.