Gati kontratën e re për Lëvin

Joakim Lëv është siguria e madhe e Gjermanisë. Trajneri që riktheu teutonët në majën e botës tashmë nuk më ka çfarë u tregon kritikëve dhe është shumë pranë rinovimit të akordit aktual (i skadon më 31.07.2018). Gjermania po fluturon në grupin e saj në eliminatoret e “Rusi 2018” dhe po përgatitet për dy vitet në vazhdim ku do të jetë përballë sfidës të madhe, atë të mbrojtjes së kurorës që fitoi në Brazil. Në këtë situatë, krerët e Federatës Gjermane të Futbollit janë të bindur se Lëv është njeriu i duhur dhe shumë shpejt do t’i ofrojnë një akord të ri 56-vjeçarit. Sa i përket firmës, pritet që të vijë në fund të verës të 2017-ës.
Praktika e punës e Lëvit është e qartë, ai nuk dëshiron që të futet në një kompeticion të madh me një kontratë në skadencë. Të njëjtën gjë bëri edhe në 2009, kur rinovoi deri në 2012 akordin. Edhe tani duket se do të përsëritet e njëjta lëvizje, pasi Lëv pritet të shkojë në “Rusi 2018” më një marrëveshje që do të mbyllet në 31.07.2020.
“Kam thënë se Lëv është i duhuri për ne që pas përfundimit të aventurës në Europianin e kaluar. Duam që të punojmë me Joakimin edhe për shumë vite të tjera”, tha dje numri një i Federatës Gjermane të Futbollit, Rajnhard Grindel.
Vetë trajneri nuk është ekspozuar shumë mbi këtë çështje, por puna që po bën me lojtarët tregon se nuk do të tërhiqet. Ai ka nisur që të përgatisë teutonët për të mbrojtur titullin kampion në Rusi, për t’u kthyer kështu në një legjendë, pasi kurrë Gjermania nuk ka fituar dy Botërorë radhazi. Zëvendësimi i Ozilit dhe i Boatengut pas 60 minutash lojë është një tregues i qartë nga ana e teknikut, i cili dëshiron që t’u japi eksperiencë të rinjve, të cilët kanë një pjesë të rëndësishme në punën e tij.

Exit mobile version