20 ditë ferri për Interin

Pushimi i kombëtareve ka përfunduar dhe, i gjithë grupi i zikaltërve është stërvitur i plotë në “Pinetina”. Trajneri Frank De Bur ka pasur kohën e duhur për të medituar mbi ndryshime të mundshme taktike, sidomos në lidhje me një plan për 20 ditët e ardhshme, i cili do ta përballë Interin me një tur force.
Gjatë kësaj periudhe, milanezët i presin jo pak, por plot 7 ndeshje. Fakti që do të luhet çdo tri ditë, në letër do të detyronte strategun holandez që të mendonte një rrotacion të veçantë për skuadrën, por në këto 20 ditë nuk duket shumë e mundur kjo gjë, për faktin se në tri javët e ardhshme, Interi luan një pjesë të mirë të sezonit. Nëse në kampionat pesë sfidat që e presin nuk duken të frikshme, duke parë që nuk ka duele direkte, ajo që shqetëson është Liga e Europës dhe dopio-sfida me anglezët e Sauthemptonit.
Në arenën kontinentale, De Bur nuk mund të bëjë asnjë gabim nëse kërkon të vazhdojë aventurën. Dy humbjet në dy duelet e para, ai kundër izraelitëve të Hapoel Ber Shevës dhe ai me çekët e Spartës së Pragës, detyron Interin që të dalë nga dy ndeshjet me Sauthemptonin me të paktën 4 pikë, për të tentuar një përmbysje të situatës me dy sfidat e tjera që mbeten nga grupi. Misioni nuk duket i pamundur, por në këto takime, nevojitet zero rrotacion, por edhe një përqendrim maksimal. Për sa i përket kampionatit, sfidat nuk duken të vështira, përkundrazi…
Këtë fundjavë, Interi e nis me Kaljarin në shtëpi, për të vazhduar më pas me Atalantën në transfertë, me Torinon sërish në shtëpi, me Sampdorian jashtë dhe me Krotonen në “San Siro”, përpara pauzës së radhës së kombëtareve. Por, edhe pse kalendari në letër duket mjaft i lehtë, pikërisht në këto takime duhet të bëjnë kujdes zikaltrit.
Në shtatë javë kampionat, Interi ka lënë 7 pikë me skuadrat e vogla, 7 pikë sa ç’është edhe diferenca mes tyre dhe Juventusit, duke menduar që milanezët i mundën kampionët në fuqi. Prandaj, këto sfida duhen vlerësuar maksimalisht nga De Bur, por duke mos anashkaluar për asnjë moment Ligën e Europës dhe Sauthemptonin.

Exit mobile version