Gazeta gjermane: Mimi Kodheli me helikopter për shoping në Hamburg

Gazeta e përditshme gjermane, “Hamburg Morning Post” i ka kushtuar një shkrim një shëtitje të ministres Mimi Kodheli në dyqanet e famshme në Hamburg. Tabloidi gjerman shkruan se, Kodheli ka shkuar në dyqanet e zonës Alsterhaus, duke kaluar plot të dy orë atje, por nuk jep informacion se sa mund të ketë shpenzuar ministrja shqiptare.
“Tri limuzina me drita të ndezura, një Mercedes S-Class dhe një automjet i policisë ushtarake. Vizitë shtetërore? Jo, ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po bën pazar. Kodheli gjendet në një vizitë zyrtare në Gjermani, ku të hënën u takua me homologen e saj, Ursula von der Leyen. Në këtë takim u diskutua kryesisht për situatën në Ballkan, konfliktin në Ukrainë dhe politikat e presidentit rus Putin. Pas vizitës në Berlin, Kodheli shkoi në Hamburg me helikopter. Në këtë qytet, ministrja e Mbrojtjes ka bërë dy orë shopping në dyqanet VIP të Alsterhaus” shkruan “Hamburg Morning Post”. Por menjëherë pas përhapjes që pati ky lajm në faqet online shqiptare ka reaguar edhe një portal që suportohet direkt nga zyra e propagandës në kryeministri, për të shpërndarë burime dezinformimi.
“Mësohet se dreka në restorantin Rickmers Rickmers dhe vizita në qendrën Alsterhaus në Hamburg që përmend Hamburger Morgenpost, ishin pjesë e pritjes së organizuar nga pala gjermane” shkroi Lexo.al. Kjo faqe gjeti “rastësisht” edhe komentin e një gazetari gjerman për këtë ngjarje. Ky gazeatar, Vincent Triest, në reagimin e tij shkruan: “Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u akuzua sot gabimisht nga disa portale lajmesh në Shqipëri. Sipas artikullit, ministrja Kodheli ishte në një vizitë zyrtare dhe takoi atje një politikan të lartë gjerman të CDU”. Por, gazetari bën një lapsus. Sepse ministrja nuk u akuzua nga mediat shqiptare, por nga kolegët e tij gjermanë. Kështu duke dashur të mbrojë Kodhelin, Lexo.al ka bërë një autogol të dytë.

Exit mobile version