Gazeta holandeze: Kryemafiozi Frroku kundërshton ekstradimin

Gazeta holandeze “Telegraf” ka publikuar dje një shkrim me titullin “Shqipëria kërkon vrasësin e komisarit”, duke iu referuar Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Dritan Lamaj. Gazeta e cilëson Frrokun si anëtar të spikatur të Partisë Kristiandemokrate dhe me një të kaluar kriminale.
“Shqiptari u arrestua në një aeroport të Holandës më 6 mars. Arben Frroku rezulton i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Dritan Lamaj dhe cilësohet një kryemafioz. Pas zhdukjes, Frroku u arrestua me urdhër ndërkombëtar arresti. Ai u kap në Schiphol me pasaportë greke të falsifikuar me emrin Renato Tsepa”, shkruan gazeta holandeze “Telegraf”.
Prej 6 marsit, Frroku mbahet në paraburgim. Sipas “Telegraf”, Frroku pavarësisht se Shqipëria kërkon ekstradimin e tij, do të dënohet dhe të vuaj dënimin në Holandë. Gjithashtu, shteti holandez refuzon që të kryejë ekstradimin e personave që nuk e kanë jetën e garantuar dhe këtë gjë duket se po shfrytëzon Frroku për të kundërshtuar ekstradimin.
Në raste të mëparshme, gjykatësit në Holandë kanë vendosur të mos miratojnë ekstradimin për shkak të korrupsionit dhe gjakmarrjes që ekziston në Shqipëri. Frroku zgjodhi të fshihej në Holandë me një identitet të rremë siç bëjnë shumë kriminelë të tjerë nga Italia apo Britania, shkruan gazeta. “Telegraf” thekson se, veçse bëjnë një jetë të fshehtë në Holandë ata vazhdojnë edhe aktivitetin e tyre kriminal gjatë qëndrimit atje.
Ndër të tjera, “Telegraf” shkruan se, kjo nuk është hera e parë që persona me të shkuar kriminale nga Italia, Belgjika dhe Shqipëria arrestohen në Holandë. Sipas gazetës, këta persona shpresojnë që të jetojnë me identitet të rremë në këtë vend, duke i shpëtuar kështu dënimit në vendet e tyre.
Arben Frroku u arrestua 6 mars në Schipol, pranë Aeroportit të Amsterdamit, me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Tsepa. Autoritetet holandeze, pas verifikimeve, arritën në përfundimin se ai ishte Arben Frroku, i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e ish-Kryekomisarit Dritan Lamaj, më 24 shkurt të vitit 2013.
Interpol Haga, pas shkëmbimit të informacionit, ka lajmëruar autoritetet shqiptare se, Arben Frroku rezultonte i ndaluar. Frroku pritet të dalë para Gjykatës së Amsterdamit për akuzën e falsifikimit të dokumenteve më 28 korrik. Dy javë më vonë, Gjykata do të japë verdiktin e saj për këtë akuzë, si dhe për ekstradimin ose jo të tij drejt Shqipërisë.
Frroku u largua nga Shqipëria me bekimin direkt të ministrit të Brendshëm, Tahiri, vetëm pak orë para se Gjykata e Apelit të jepte vendimin. Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.

Exit mobile version