Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Gazmend Koduzi, ishte i ftuar ditën e sotme në një intervistë në “Fax News”, ku ka komentuar ndër të tjera edhe ligjet e miratuara së fundmi për zonat e mbrojtura dhe për marrëveshjen Rama-Meloni mbi emigrantët.
Koduzi deklaroi se Partia Demokratike është shprehur e prerë kundër këtyre ligjeve, duke thënë se po i dëmtojnë qytetarët, teksa premtoi se në momentin e parë që PD do të jetë në qeverisje, do t’i ndryshojnë.
“Partia Socialiste bën ligje në interes të pushtetit të tij, si ligji për zonat e mbrojtura. Ju sjell në vëmendje që, para një viti, një pjesë e Parkut të Butrintit është betonizuar, ndërkohë që Ministrja e Kulturës e asaj kohe, e justifikonte duke thënë që është vetëm një pikë e vogël.
PD do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese dhe në momentin e parë që do të jetë në qeverisje, do ta ndryshojmë.
Unë nuk jam ekspert i fushës, por unë e konceptoj që është një ligj që do të dëmtojë natyrën e Shqipërisë. Unë flas si anëtar i kryesisë së PD-së, por edhe Basha ka mbajtur qëndrim të qartë e të prerë. Ky ligj nuk i përmirëson aspak të drejtat e qytetarëve, por i dëmton ato.
Në lidhje me ligjin për emigrantët, mund të themi se Shqipëria përmendet si një nyje e trafikimit të qenieve njerëzore, prandaj, ky ligj do ta rrisë akoma më shumë këtë trafik të qenieve njerëzore në Shqipëri. PD është kundër këtyre ligjeve dhe është shprehur hapur kundër saj.”