Julian Kola, një banor i Kavajës, i cili në fund të muajit qershor u dhunua nga vëllai i kreut të Bashkisë së Kavajës, ka rënë sërish pre e dhunës. Siaps Panorama, 56¬-vjeçari është sulmuar me grushte nga një person i afërt me Saimir Rroshin, vëllain e Elvis Rroshit, që mban detyrën e Drejtorit të OSHEE¬së në qytetin e Kavajës.
Ai tregon se ndërsa po shkonte për në shtëpi pasi kishte pretë biletën për të udhëtuar drejt Italisë, në një lokal pranë shtëpisë e ka thirrur kamerieri duke i thënë se po e kërkonte dikush. Kola, rrëfen se pasi hyri në lokal, Gëzim Xhameta që në Kavajë e njohin si Jaku, e ka ftuar për kafe. Vetëm pak minuta pasi është ulur, i riu i moshës rreth 35 vjeç, e ka goditur me grushte duke e gjakosur pasi iu drejtua me fjalët: “U bëre ti”.
Policia ka shkuar në vendngjarje rreth 17 minuta pas lajmërimit nga Kola dhe ka marrë atë dhe agresorin në Komisariat. 57-vjeçari thotë se, Xhemta e ka goditur edhe brenda makinës së Policisë.
Madje, punonjësi i Policisë në Komisariatin e Kavajës, Kreshnik Mëlyshi gjatë marrjes në pyetje e ka kërcënuar Julianin duke i thënë: “Do të fus në burg në qoftë se do të më bish në dorë”.
Sipas pretendimeve të Julianit, agresori është një “ushtar” i Elvsi dhe Saimir Rroshit dhe banorët e tjetër i kanë treguar se ka rreth dy javë që Xhameta e ruante. Këtë incident, Kola e konsideron si “vazhdim” i dhunës së ushtruar në fund të muajit qershor, ngjarje për të cilën nuk pati asnjë përgjegjës.