Gjata: Ministrja e Drejtësisë mund të bllokonte

Konstitucionalisti i njohur, Çlirim Gjata tha se ekstradimi i Nazer Seitit, i njohur si financieri i Habilajve, ka probleme ligjore. Gjata u shpreh në studion e Oranews se, qoftë Ministria e Drejtësisë ashtu edhe Prokuroria e Përgjithshme kanë nga një drejtori që quhet e Marrëdhënieve me Jashtë, e cila ka një databazë, ku përfshihen emrat e personave që janë duke u hetuar apo ndodhen nën hetim.
“Nëse do të vendosnin emrin e Seitajt në databazë do të shikonin dhe do të kishin sqaruar situatën. Pse nuk e bënë këtë, nuk e di”, tha Gjata.
Ai iu referua në vijim ligjit për rastet se kur nuk lejohet ekstradimi, duke përmendur edhe atë të hetimit ndaj shtetasit në fjalë në Shqipëri.
Nëse kishte apo jo mundësi bllokimi ekstradimi, Gjata tha se, ministrja e Drejtësisë mund të bllokonte ekstradimin, duke marrë si shembull Kroacinë, ku ministrja e Drejtësisë atje mund të bllokojë ekstradimet, pavarësisht se çfarë vendimi ka marrë Gjykata.
Ekstradimi i financierit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti drejt Italisë u bë një ditë, pasi Gjykata pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.
Përgjegjësinë kryesore për ekstradimin e financierit të Habilajve drejt Italisë e mban ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Gjonaj zbatoi urdhërin e Ramës për të larguar dëshmitarin kryesor të dosjes Tahiri-Habilaj me qëllim që të mbyllë përfundimisht çështjen Tahiri.

Exit mobile version