Supersfida ndërmjet Gjermanisë dhe Francës në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian, që do të luhet të enjten e 7 korrikut në Marsejë, do të drejtohet nga Nicola Rizzoli. Arbitri italian u përzgjodh nga UEFA për të vendosur drejtësi në përballjen delikate, ku do të ndihmohet nga katër bashkëkombas të tij, në rolin e vijërojtësve dhe dy asistentëve të portës, ndërsa slloveni Skomina do të jetë në rolin e gjyqtarit të katërt.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt për Rizzoli-n në turneun kontinental, pas Angli-Rusi, Portugali-Austri dhe Francë-Irlandë. Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër, ndërmjet Portugalisë dhe Uellsit, që do të luhet të mërkurën më 6 korrik, do të drejtohet nga arbitri suedez Jonas Eriksson.
Pas përcaktimit të gjyqtarëve të gjysmëfinaleve nga dizenjatori i UEFA-s, Pierluigi Collina, favorit për të drejtuar finalen e së dielës, duken britaniku Mark Clattenburg, që gjykoi finalen e Champions-it në këtë edicion, por edhe hungarezi Viktor Kassai, që drejtoi ndeshjen hapëse të Euro 2016 ndërmjet Francës dhe Rumanisë, por edhe çerekfinalen ku Gjermania fitoi përballë Italisë vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave.