Për një skuadër debutuese si Uellsi, ky Europian deri në këto momente ka qenë i mrekullueshëm. Të mërkurën, uellsianët do të përballen me Portugalinë në gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni dhe për trajnerin Chris Coleman fitorja me Belgjikën dhe entuziazmi që ajo solli duhet harruar, pasi tani është momenti për të menduar për Portugalinë dhe për Cristiano Ronaldon.
“Ne do ta përballojmë këtë sfidë në të njëjtën mënyrë siç kemi luajtur përgjatë gjithë këtij Europiani. Nuk besoj se e kemi luksin për të ndryshuar stilin tonë, sepse ne i dimë cilësitë tonë. I vetmi mesazh që unë mund t’i jap lojtarëve të mi përpara kësaj sfide është që të luajmë siç kemi bërë deri tani, pasi kjo mënyrë loje na ka sjellë deri këtu. Ne nuk ndryshojmë në varësi të kundërshtarit dhe as të ndonjë lojtari në veçanti, sepse në jemi një skuadër. Ne duhet thjesht t’i tregojmë Portugalisë se në fushë jemi dhe ne dhe se dimë të luajmë futboll po aq mirë sa ata”, u shpreh Coleman.
Pra me pak fjalë, për Coleman nuk do të ketë një mbulim specifik për Cristiano Ronaldon. “Nuk besoj se ka nevojë që t’i kujtosh lojtarëve të t’u se në sulm për Portugalinë luan Cristiano Ronaldo, sepse ata e dinë se kush është ai. Nuk është se kam stërvitur skuadrën në një mënyrë specifike për të mbuluar Ronaldon, pasi nuk e kam bërë këtë as me Hazardin e Belgjikës. Këta janë ata tip lojtarësh që sado të përpiqesh t’i ndalësh në një moment mund të bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Ndaj nuk besoj se duhet të përqendrohemi vetëm te Ronaldo, ashtu si nuk besoj se loja e Portugalisë në mbrojtje do të bazohet vetëm te mbulimi i Bale. Të përqendrohesh vetëm te një futbollist i veçantë për mua është gabim. Ne kemi një mënyrë tonën sesi mbrohemi. Kam lojtarë shumë cilësorë dhe besoj se ata e dinë mirë, cila është detyra e tyre”, tha Coleman.
Për Uellsin, gjysmëfinalja me Portugalinë do të jetë e para në histori, ndërsa për portugezët kjo është hera e pestë që arrijnë deri në këtë fazë edhe pse asnjëherë nuk kanë mundur të fitojnë trofeun.
Dilema më e madhe e Coleman është zëvendësimi i Ramsey, i cili në ndeshjet e luajtura me Uellsin ka arritur të shënojë një gol dhe të japë 4 asiste. Në të njëjtën kohë, ai nuk do të ketë as qendërmbrojtësin Ben Davies, pasi ky ashtu si dhe Ramsey janë të skualifikuar. Por Coleman theksoi se forca e grupit do të bëjë që të mos ndihet mungesa e këtyre lojtarëve.