Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere e ai i Drejtësisë, Heiko Maas duan të veprojnë ashpër kundër “rrezikuesve” islamistë. Masa të mundshme: pranga elektronike e mbajtje afatgjatë në burg. Pas atentatit në Berlin partitë gjermane profilizohen si ndjekëse të vijës së ashpër. Kush ofron më shumë? Kush ka edhe një ide tjetër për ligje më të ashpra? Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU), kërkon centralizimin e kompetencave të policisë dhe shkrirjen e zyrave të landeve për Mbrojtjen Kushtetuese. Kreu i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel, njëkohësisht edhe ministër i Ekonomisë e zëvendëskancelar thotë: “Jam për tolerancë zero” kundrejt salafistëve të gatshëm për dhunë. Kryeministri i Gjelbër i landit të Baden-Vyrtembergut, Winfried Kretschmann pohon, se vendet afrikanoveriore mund të shpallen vende të sigurta origjine. Kryetarja e të Majtëve, Sahra Wagenknecht i jep Merkelit bashkëpërgjegjësi për viktimat e terrorit në Berlin dhe afrohet në ton me partinë populiste, AfD. Christian Lindner, kryetari i partisë liberale, FDP në kuadër të gabimeve të autoriteteve të sigurisë në rastin e atentatorit të Berlinit, bën fjalë për “dështim të shtetit”.
Fraza të forta e kërkesa të ekzagjeruara
Kush nuk e ka vënë re ende: Gjermania ndodhet në mes të fushatës elektorale -megjithëse duhen edhe tetë muaj derisa të zgjidhet Parlamenti i ri. Megjithatë mesa duket kudo sundon frika për të mos qenë i vonuar. Me këtë ka humbur çdo shpresë, që kjo temë kaq e rëndësishme – siç është siguria – të trajtohet me seriozitetin e duhur përtej kufijve partiakë. Për fat të keq edhe ministri i Brendshëm, i njohur për vetëpërmbajtjen po del me propozime jorealiste. Nuk mund të kuptohet ndryshe ideja e tij, për të zgjeruar kompetencat e Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA) dhe policisë federale në të gjithë vendin. Ideja do të dështonte edhe pse për këtë mungon mazhoranca prej dy të tretave e kërkuar për ndryshimin e nevojshëm të Kushtetutës. E nuk ka të bëjë me atë që landet nuk duan të dorëzojnë kompetencat.
BKA rol themelor në luftën antiterror!
Mjafton vështrimi në hartën gjermane për të kuptuar: Autoritetet qendrore të policisë kanë qenë të mbingarkuara të ofrojnë siguri në bazë të njohjes së rajoneve dhe ambienteve të ndryshme. Mjafton që BKA të ketë rol drejtues në luftën kundër terrorit. Ashtu si Enti Federal i Mbrojtjes Kushtetuese mori rol themelor në drejtimin e operativëve, pas dështimeve që u bënë të qarta në rastin e NSU-së, organizata e “Ilegalitetit Nacionalsocialist”.
Kështu dihet kush e mban përgjegjësinë, pasi deri më tani ajo delegohet me dëshirë, kur puna bëhet pisk. Koha e justifikimeve do të merrte fund. Gabimet në rastin e atentatorit të Berlinit, Anis Amri nuk janë për shkak të mungesës së njohurive për të, por për shkak të mungesës së veprimit të autoriteteve. Se sa pa substancë është debati për sigurinë që zhvillohet tani, kuptohet nga deklarata e Gabrielit, “Tolerancë zero”- rivali i mundshëm i kancelares Merkel në zgjedhjet e ardhshme po ushtron pozën e të fortit dhe bën një deklaratë që është në thelb e vetëkuptueshme. Sepse kush tregon mirëkuptim për njerëzit e gatshëm për dhunë, pavarësisht nësa ata janë salafistë, ekstremistë të djathtë apo të majtë?
AfD thotë faleminderit për mbështetjen në fushatën zgjedhore
Prandaj kjo fjali e kreut socialdemokrat është thjesht zhurmë fushate. Ndërkohë që Gabriel është njëri përfaqësues nga ata politikanë të çdo ngjyre që duan t’u dëgjohet zëri kur vjen puna tek siguria. Sepse me të drejtë njerëzit presin nga ata përgjigje për atë, se çfarë konceptesh realisht të zbatueshme kanë ata në luftën kundër terrorit. Do të ishte mirë që tani këto përgjigje të ofroheshin. Por për këtë është shumë e madhe frika nga AfD-ja. Kjo parti në sondazhe ka shtuar pikët tek zgjedhësit, megjithë garën e ideve për sigurinë të partive të tjera.