Ndërron jetë ish-presidenti gjerman, Roman Herzog

Roman Herzog u shua në moshën 82-vjeçare bëri të ditur zyra presidenciale gjermane. Më parë ai ka qenë gjykatës i Gjykatës Federale Kushtetuese. Karriera politike e Roman Herzog filloi në vitin 1973 si sekretar shteti në qeverinë e landit të Renani-Pfalcit nën Helmut Kohlin. Më vonë ai u emërua si ministër i Kulturës e më pas i Brendshëm në Baden Vyrtemberg. Në vitin 1983 Roman Herzog u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese.
Në vitin 1994, Roman Herzog u zgjodh president i Gjermanisë, në raundin e tretë të votimit. Si një nga fjalimet e tij më të rëndësishme konsiderohet ai i vitit 1997, kur Herzog kërkoi “që nëpër Gjermani të kalojë një hop ndryshimi. Kjo kërkohet tek të gjithë, të gjithë duhet të bëjnë sakrificë, të gjithë duhet të japin kontribut”.
Presidenti gjerman, Joachim Gauck u tregua i prekur nga vdekja e ish-presidentit gjerman. “Ky lajm më mbush me pikëllim të thellë”. Gauck vlerësoi angazhimin e Roman Herzog për Gjermaninë, duke e cilësuar atë “si një personalitet me njohuri të thella, të mençur dhe me përvojë jetësore. Guximi i tij për të bërë përpara lidhej gjithmonë me një skepticizëm simpatik”, tha ai.
Si president i Gjermanisë, Roman Herzog u angazhua kundër pengesave në shoqëri dhe politikë. Ai ballafaqohej me kritikë edhe ndaj qytetarëve. “Populli nuk lëviz”, i tha ai në pranverën e vitit 2008, gazetës “Bild”. Ka një gatishmëri për reforma, por “duhet lidership politik, karizmë e vërtetë për t’i mobilizuar njerëzit”.

Exit mobile version