Gjermani, deri në fund të verës vaksinohen të rinjtë dhe fëmijët mbi 12 vjeç

Deri në fund të verës, të gjithë shtetasit duhet të marrin ofertë për vaksinim, përfshirë fëmijët nga mbi 12 vjeç. Kjo u vendos nga qeveria gjermane dhe landet federale në samitin e tyre të vaksinimit

Fëmijët dhe të rinjtë e moshës 12 vjeç e lart mund të vaksinohen kundër Covid-19 nga 7 qershori. Kjo u vendos nga qeveria gjermane dhe landet federale në samitin e vaksinimit. Mjekët dhe qendrat e vaksinimit duhet të përfshijnë edhe të rinjtë në fushatën e vaksinimit, tha kancelarja Merkel. Detajet do të përcaktohen nga landet federale. Kancelarja Merkel theksoi më tej se testime nuk do të jenë të nevojshme as për aktivitetin shkollor dhe as për pushimet.

Qeveria federale beson se 60 përqind e të rinjve dhe fëmijëve janë të gatshëm të vaksinohen. Diskutime për vaksinimet e adoleshentëve ka disa ditë që zhvillohen në Gjermani. Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit ende nuk e ka bërë rekomandimin për vaksinimin e kësaj grupmoshe.

Fakti që qeveria federale dëshiron të përfshijë edhe fëmijët dhe të rinjtë në fushatën e vaksinimit ka shkaktuar kritika.

“Vaksinimi i fëmijëve është një akt shumë i ndjeshëm,”theksoi kancelarja pas konsultimeve me landet federale.

Kjo ka të bëjë edhe me faktin se nuk janë vaksinuar plotësisht pjesa tjetër e popullatës, që besohet se është më e rrezikuar.

Nesër, Agjencia Evropiane e Medikamenteve, EMA, pritet të vendosë për miratimin e vaksinës së BionTech/Pfizer për adoleshentët.

Qeveria federale planifikon të sigurojë pothuajse 6.4 milionë doza deri në gusht për vaksinimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Kjo shkruhet në një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë për samitin e vaksinimit. Numri i të rinjve nga 12 deri në 18 vjeç në Gjermani është 5.3 milionë. Me një gatishmëri për t’u vaksinuar prej 60 përqind, ekziston një nevojë e supozuar për vaksinat e para dhe të dyta prej 3.18 milionë dozash secila.

Exit mobile version