Gjermania e prerë: Nëse qeveria kap drejtësinë s’keni vend në BE, jo vota të blera, por kompromis

Mesazhi i Gjermanisë për Reformën në Drejtësi është i prerë: në rast se qeveria do të kapë drejtësinë, atëherë për Shqipërinë nuk do të ketë vend në BE. “Vendi ku qeveria ndikon në drejtësi s’është i BE”, deklaroi kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Tiranë, i ardhur posaçërisht për Reformën në Drejtësi.
Deklarata e përfaqësuesit të lartë të Kancelares Merkel vjen në momentin kur Rama nuk pranon rekomandimin 88 të Venecias për kontrollin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, i njohur ndryshe si procesi i vetingut.
Gjermania në këtë pikë ka qartësuar pozicionin e saj duke i bërë të qartë dje qeverisë se ajo mbështet vetëm një proces konsensual me opozitën përderisa procesi kërkon 94 votat.
I pyetur, nëse për të siguruar 94 votat e nevojshme, shumica mund t’i drejtohej edhe deputetëve opozitarë, për vendimin e tyre individual për votë pro reformës, Krichbaum ka qenë i prerë duke kërkuar rrugën konsensuale të miratimit të reformës dhe duke hedhur poshtë kështu në mënyrë të prerë përpjekjet e qeverisë Rama për blerje të votave të deputetëve. “Nëse nuk gjendet kompromis reforma nuk jep rezultat. Reforma pa kompromis, nuk sjell drejtësi të pavarur”, u shpreh Krichbaum.
“Tani u prekën kushtet që të merret një vendim. Duhet të mos humbasë durimi dhe opozitë-qeveri të gjejnë kompromis. Nëse nuk gjendet kompromis reforma nuk jep rezultat. Reforma pa kompromis, nuk sjell drejtësi të pavarur. Vendi ku qeveria ndikon në drejtësi s’është i BE. Me reformë të garantohet drejtësi e pavarur. Disa detaje të sqarohen, por palët të ndërgjegjshme. Durimi ynë për reformën nuk do të jetë i pafund. Ne ju mbështesim, ndaj morët statusin. Tërheqim statusin kandidat nëse nuk e doni reformën!”, tha Krichbaum.
Kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag ka theksuar se tashmë drafti është gati dhe 21 korriku është moment vendimtar për Reformën në Drejtësi, duke theksuar se opozitë-mazhorancë duhet të gjejnë kompromis.
“Reforma në Drejtësi është prioriteti më i rëndësishëm për vendin. Ne interesohemi për zbatimin e ligjeve dhe jo për letrat. Duhet zbatimi i ligjit, që të vijnë investitorë në Shqipëri. BE dhe Gjermania ofruan mbështetje për këtë proces. Tashmë drafti është gati dhe 21 korriku është moment vendimtar. Opozita u angazhua në proceset e reformës”, theksoi Krichbaum.
Deputeti gjerman është pyetur edhe për planin e mazhorancës, për të bindur deputetët e PD për të votuar draftin, ai ritheksoi edhe një herë se konsensusi është rruga më e duhur. “Një reformë është e mirë nëse përfaqësohet nga një masë e gjerë. Nëse duhen 94 vota për miratimin e një projektligji, në parim nuk ka ndonjë gjë për të kundërshtuar. Qeveria duhet të marrë kontaktet me opozitën dhe të gjejë votat e duhura, pasi 21 korriku po afron”, tha ai. Krichbaum nënvizoi disa herë se Shqipërisë i nevojitet ende shumë kohë deri në hapjen e negociatave dhe sqaroi prerë pozicionin e Gjermanisë nëse nuk miratohet drejtësia.
“Nëse na krijohet përshtypja se nuk ka mbështetje për implementimin e reformës, ne nuk do të mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha deputeti gjerman. Ai tha se Gjermania e mbështet integrimin, por jo pa reformën. “Jam në Shqipëri për një mision faktmbledhës për Reformën në Drejtësi. Nuk mund të mendohet asnjë vendimmarrje pa miratimin e Bundestagut. Shqipëria duhet të zbatojë reformat. Qeveria dhe Parlamenti gjerman ju mbështet në rrugën drejt BE. Kam takuar Ramën dhe Bashën. E rëndësishme është që në fund të procesit të kemi një reformë që të gjejnë veten të gjitha palët e përfshira. Për reformën është ofruar mbështetja e BE dhe qeverisë federale. Opozita është e angazhuar në proceset e reformave, veçanërisht atë të drejtësisë”, u shpreh ai.

Exit mobile version