Bylykbashi: Jo Reformë në Drejtësi që e ka bazën tek konflikti

Parlamenti ka votuar dje me 71 vota pro të mazhorancës futjen në rend të programit të punës së Kuvendit, të draftit për Reformën në Drejtësi. Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Oerd Bylykbashi i bëri thirrje mazhorancës të mos e votojë Reformën në Drejtësi pa arritjen e konsensusit me opozitën. Ai tha se ky është një draft i padakordësuar, nuk ka asnjë lloj konsensusi. “Një draft që është miratuar nga një komision që s’mund të jetë me komision për reformën kushtetuese. Po përpiqeni të fusni dhe ligje organike në Kalendarin e Kuvendit. Jemi përpara një shkelje flagrante të rregullores dhe të Kushtetutës së Shqipërisë. Po përdoret një procedurë jo thjesht e përshpejtuar, por procedurë antikushtetuese.  Minimumi për këto ligje, të cilat depozituat jo më larg se dje, nuk lejohet procedura e përshpejtuar, por ajo që po përdorni ju është më keq se kaq, po dhunohet dhe po shkelet Kushtetuta. Është absolutisht jo e ndaluar, por është edhe jo logjike të paraqiten për miratim dhe futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit ligje, të cilat nuk kanë bazë kushtetuese. Është një draft, është ende një listë dëshirash, por nuk ekziston. Mundet që një ligj të vijë, mund që edhe të mos jetë në përputhje me Kushtetutën, por në lidhje me nenet që ekzistojnë këto nuk e kanë bazën kushtetuese. Po krijoni institucione që nuk kanë bazë kushtetuese. Po shkelni Kushtetutën me të dyja këmbët. Për çfarë nxitoheni? Nëse nuk gjendet konsensusi është e kotë, jo vetëm që këto ligje nuk miratohen, por ajo, Kushtetuta që doni ju të kaloni nuk do të kalojë. Komisioni i Venecias në paragrafin e fundit të opinionit të saj thotë:  Komisioni i Venecias shpreson se reforma do të vazhdojë me frymën e dialogut konstruktiv dhe mbështetjen në vlerat dhe praktikat europiane.  E ka thënë Komisioni i Venecias edhe në mbledhjen e dhjetorit bëjeni me konsensus, ua kanë thënë të gjithë senatorët amerikanë kërkon që të miratohet paragrafi 88, jo më larg se dje deputeti Krichbaum e tha qartë opozita dhe qeveria të gjejnë konsensusin pa humbur durimi dhe kjo që po bëni ju është shenja e pastër që ju nuk keni durim për konsensus. Në një vend ku qeveria ushtron ndikim në gjyqësor nuk ka vend për në BE, ua tha dje Krichbaum.  Kush është nxitimi juaj? Ka vetëm një gjë, ju votat nuk i bëni dhe sigurinë e lartë e keni që e dështoni reformën për një vit. Duroni, negociatat vazhdojnë. Ju po kërkoni të dështoni votimin dhe ta shtyni për një vit. Kushtetuta do t’i qëndrojë kohës vetëm nëse ka konsensus, askujt, as juve dhe kur ju do të vini në opozitë, do t’iu duhet një Reformë në Drejtësi, e cila ka themele solide. Prandaj thirrini mendjes, nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi dhe nuk mund të ketë një Kushtetutë që e ka bazën tek konflikti” tha Bylykbashi.

Exit mobile version