Gjermania i thotë JO hapjes së negociatave me Ramën

Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum deklaroi dje se Bundestagu do të votojë kundër hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë të Bashkimit Europian me Shqipërinë, sepse ajo nuk i ka plotësuar kriteret paraprake, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit ligjor, duke nisur nga reforma në drejtësi. Gunther Krichbaum ka bërë të ditur në një konferencë shtypi se, Shqipëria duhet të zbatojë 7 kushte përveç 5 prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryetari i Grupit parlamentar i CDU/CSU, Krichbaum, tha gjatë një takimi me shtypin se Gjermania do të mbështesë të gjitha forcat politike në raport progresin që KE propozon për çelje negociatash pasi të jenë shënuar arritje të konsiderueshme për reformën në drejtësi.
“Vërtet është miratuar reforma në drejtësinë shqiptare, por me vendim të Gjykatës Kushtetuese disa akte janë pezulluar”.
Sipas tij, vetë gjykata ka kërkuar të merret një opinion nga Komisioni i Venecias dhe sot është ende e paqartë, se kur do të hyjë reforma në fuqi, pra, kjo detyrë kryesore nuk është përmbushur.
Ai tha po ashtu se nuk është përmbushur ende në praktikë pika 2 mbi reformën në administratën publike. Nuk është plotësuar sipas tij, as pika 3 që lidhet me luftën ndaj korrupsionit, ku duhej të ishte arritur më shumë, sepse mungojnë ngritje të padive penale konkrete dhe vendime penale të formës së prerë.
Goditja e krimit të organizuar dhe trafiku i drogës, si pikë e katërt, duhet të forcohen më tej, tha ai, madje, në luftën kundër trafikut të drogës janë bërë hapa pas.
“Lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës do të pengonte kalimin e krimit drejt politikës dhe drejtësisë”, pohoi ai. Së pesti, ligji për pronat është larg standardeve europiane, është në përpunim e sipër dhe nevojitet më shumë transparencë mbi këtë proces. Zoti Krichbaum tha se zgjedhjet e 2017 duhet të bëhen sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe në përputhje me kodin e ri zgjedhor. Edhe kjo është tjetër pikë ende e papërmbushur, sipas tij.
Po ashtu, ligji për dekriminalizimin duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme, shtoi ai, sepse ishte një marrëveshje e rëndësishme mes palëve, për të mbajtur të inkriminuarit larg Parlamentit.
“Negociatat me Shqipërinë do të hapen vetëm kur të plotësohen parakushtet, theksoi zoti Krichbaum, duke shtuar se ende nuk po shihet bashkëpunim mes forcave politike për të zbatuar reformat”. Zoti Krichbaum është kryetar i Komisionit parlamentar për Çështjet e BE-së pranë Bundestag-ut gjerman.
Ky komision është përgjegjës për çështjet themelore të integrimit evropian, temat institucionale dhe çështjet e zgjerimit, si dhe zotëron kompetenca të veçanta për këto. Sipas tij, çelja e negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE mund të kalojë për në vitin 2018.
Ai shtoi se grupi i tyre parlamentar, që është më i madhi në Bundestagun gjerman, nëse nuk jep OK për hapjen e negociatave, Kancelarja Angela Merkel nuk mund të mbështesë çeljen e tyre. Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag u shpreh gjithashtu se dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore kanë marrë notë jokaluese, pra nuk janë realizuar si kushte.

Shtatë kushtet e Gjermanisë

1- Në lidhje me reformën në administratën publike duhet të provohet në praktikë sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
2- Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe të integritetit në fushën e drejtësisë.
3- Në luftën ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila duhet të jetë e pavaruar  nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të jenë shënuar arritje të konsiderueshme.
4- Duhet të shënohen arritje ndaj krimit të organizuar.
5- Në lidhje me prioritetin kyç në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës.
6- Rekomandimet e OSBE-së dhe të ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore duhet të zbatohet deri në zgjedhjet e qershorit 2017.
7- Ligji për dekriminalizimin e Parlamentit, të institucioneve qendrore e vendore dhe të administratës publike duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.
Këto 7 kushte, CDU-CSU pret që të reflektohen pozitivisht në raport progresin e pranverës së vitit 2018, për të dhënë më pas dakordësinë për negociatat.

Roshët e Bushët shkak i bllokimit

Përfaqësuesi i partisë së Angela Merkel në Komisionin e Jashtëm të Parlamentin gjerman, Krichbaum, nuk e ka kursyer shumicën socialiste për kriminelët e Parlamentit.
Ai e ka quajtur të çuditshme se si njerëz të dënuar në Shqipëri apo në vende perëndimore vazhdojnë të jenë deputetë. Ai ka kërkuar zbatim të qëndrueshëm dhe të plotë të ligjit të dekriminalizimit.
“Në pushtetin lokal dhe qendror nuk mund të ketë njerëz që ndiqen me urdhra kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë ai. Ne nuk mund t’i përmendim “kriminelët” me emra ka thënë ai, por ato i dinë të gjitha institucionet.
“Ligi për dekriminalizimin duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse. Ka ende persona të inkriminuar në funksione publike. Kjo është e papranueshme për ne si grup parlamentar dhe për mua personalisht.
Emrat janë të njohur, por nuk mund t’i përmendim ata me emër. Janë organizatat evropiane që kanë informacion. Se çfarë do të bëhet, kjo është një detyrë”, u shpreh Krichbaum.

Exit mobile version