Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilluan takim me banorë të fshatrave Kandërr, Kishavec, Vakuf, Borovjan, Deshat. Kandidati Sherefedin Shehu theksoi se, për Dibrën është një fyerje e madhe ardhja e ministrave që s’kanë asnjë lidhje me Dibrën dhe deputetët e saj nuk duken në fushatë. Gjiknuri, përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe presionit me faturat abuzive, ka vetëm një qëllim në vizitat e shpeshta në Dibër, të shoh ku mund të japë koncesion për hidrocentralin e radhës. Sherefedin Shehu: Pse vjen Damian Gjiknuri dhe kapardiset me atë çantën krahë qafë?! Ai ka ardhur për të studiuar kur mund të bëjë hidrocentralin tjetër. Sepse njërin e ka projektuar atje dhe prisni se do t’ju përmbysen tokat këtu. Se ai vetëm këtë punë di të bëjë bashkë me Ramën dhe Arben Ahmetajn dhe me gjithë të tjerët. Duke parashtruar programin për bashkinë, zoti Shehu tha se ofrimi i shërbimeve që nga pastrimi, sistemimi i rrugëve dhe kanalet vaditëse do të jenë prioritet. Bashkia i ka të gjitha mundësitë, por nuk ka vëmendjen për t’u shërbyer qytetarëve. “Largimi i mbeturinave është detyra e parë që do të kryejë bashkia nesër. Dibra nuk e meriton që të jetë e papastër, sepse bashkia është mbyllur në kullë atje në Peshkopi. Përveç largimit të mbeturinave, projekti më i rëndësishëm do të jetë projekti i kanalizimeve”, tha Shehu. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se në tre vite, kjo qeveri ia ka shtuar hallet shqiptarëve. Ekonomia është përkeqësuar, varfëria është shtuar, papunësia po ashtu, ndërkohë që të vetmit që pasurohen çdo ditë me pasuritë publike të këtij vendi janë pushtetarët dhe miqtë e tyre. Kjo është arsyeja që nga Jugu në Veri, tha zoti Basha ka nisur një bashkim i madh i shqiptarëve, përtej ngjyrave politike, për të larguar bandën e Edi Ramës. “Kjo është shenjë e një bashkimi të madh. Një bashkimi të madh që i tejkalon vijat politike dhe që bëhet, sepse shqiptarët e kanë kuptuar se ata që kemi sot mbi krye nuk e meritojnë emrin qeveritar apo qeverisës. Janë një bandë sunduesish, hajdutësh dhe kriminelësh, të cilët për popullin kanë vetëm tre alternativa; varfërinë, burgun ose emigracionin. Dhe se gjithçka ky vend ka e duan për vete”, tha Basha. Kandidati për kryetar bashkie në Dibër, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë ndjekur me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së ndeshjen e kombëtares. Shehu tha se së bashku me energjinë, mençurinë dhe vendosmërinë e të rinjve do të arrijnë që ta bëjnë Dibrën një qytet të zhvilluar, ku të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe jo të shohin emigrimin si shpresë. “Ne duhet të krijojmë një Dibër, të cilën ne e meritojmë. Një Dibër të pastër, një Dibër ku njerëzit të kenë ujë për të pirë. Një Dibër, ku njerëzit të kenë ujë për vaditje. Një Dibër, ku të gjithë të keni punë. Një Dibër, ku shpirti i sipërmarrjes të krijojë vende pune për ju”. Kandidati për kryetar bashkie u takua edhe me të përndjekurit. Shehu tha se ata do të kenë përfaqësuesin e vet në Bashkinë e Dibrës, në mënyrë që të gjithë ata që kanë vuajtur nga regjimi komunist, përveç kryetarit të Bashkisë të kenë edhe një derë tjetër, ku të diskutojnë për hallet dhe problemet e tyre. Shehu zhvilloi takime edhe me banorë të fshatrave Brezhdan, Ushtelenxë, Trojak, Sllovë, Vlesh. Infrastruktura rrugore, sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimet janë prioritete të punës së bashkisë të drejtuar nga zoti Shehu. Kandidati për kryebashkiak u tha banorëve se, kthimi i administratës në shërbim të qytetarëve do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, duke u shërbyer aty ku ata jetojnë.