Gjimshiti, gati rikthimi te Atalanta

Një sezon në Serinë B me Avellino-n për t’u konfirmuar në futbollin italian. Një shans i shfrytëzuar nga Berat Gjimshiti që të luante me vazhdimësi, por mbi të gjitha për të bindur Atalantën për potencialin e tij. Pas paraqitjeve mjaft të mira në Serinë B, për mbrojtësin kuqezi projektohet rikthimi në elitën e futbollit italian. Drejtuesit e Atalantës u bindën për forcën e 24-vjeçarit dhe po planifikojnë ta rimarrin në skuadër për sezonin e ardhshëm, ku shpresojnë të luajnë edhe në Europë.
Konfirmimi erdhi nga trajneri i Avellino-s, Walter Novellino që shprehu dëshirën ta kishte mbrojtësin në dispozicion edhe për sezonin e ardhshëm, por theksoi se Gjimshiti do të rikthehet te Atalanta që zotëron edhe kartonin e lojtarit. Djaloshi nga Lugina e Preshevës ka luajtur 33 nga 39 ndeshjet e këtij sezoni në Serinë B dhe ka qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Avellino-s në objektivin e skuadrës për të arritur mbijetesën.
Me rikthimin te Atalanta, Berat Gjimshiti duhet të luftojë për të siguruar besimin e trajnerit Gasperini, fillimisht për të mbetur pjesë e grupit dhe më pas për të synuar hapësira aktivizimi. Gjatë sezonit të kaluar, kur u transferua në merkaton e janarit nga Zurich-u, Gjimshiti luajti vetëm tri ndeshje për bergamaskët në Serinë A, të gjitha në fundin e sezonit kur skuadra nuk kishte më objektiva.
Berat Gjimshiti ka kaluar “provën” me sukses dhe ka treguar se është një futbollist i aftë për të dhënë kontributin e tij në Serinë A. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë klubi i Atalantës, i cili ka në zotërim kartonin e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.
Avellino, ku Gjimshiti ka qenë një nga shtyllat kryesore të prapavijës në këtë sezon dhe ka qenë ndër elementët më të spikatur, do të dëshironte ta mbante edhe në edicionin e ardhshëm. Por trajneri Walter Novellino ka konfirmuar se për mbrojtësin shqiptar, tre ndeshjet përmbyllëse të sezonit të rregullt, ishin të fundit në Serinë B.
“Çfarë ndodh me Radunoviç dhe Gjimshitin e Atalantës? Janë lojtarë me një strukturë fizike të jashtëzakonshme dhe janë thelbësorë për ne. Janë të rinj dhe po konfirmojnë gjithçka të mirë që kanë bërë edhe më parë. Por të dy do të kthehen në bazë, pasi meritojnë një kategori superiore, të cilën mund t’ua garantojë Atalanta”, theksoi Novellino për mediat italiane.

Exit mobile version