Juventusi nis të mendojë përforcimin e fazës sulmuese. Edhe pse për bardhezinjtë reparti i avancuar nuk ka shfaqur probleme, drejtuesit e kampionëve të Italisë, janë duke punuar për të shtuar alternativat në sulm, në mënyrë që trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri të ketë një mori emrash në dispozicion. Sulmuesi i Celtic, Moussa Demebele është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e drejtorit Sportiv të “Zonjës së Vjetër”, Beppe Marotta.
Për 20-vjeçarin në garë janë futur edhe disa klube nga Premier League. Vlera e kartonit të futbollistit është 29 milionë euro, shumë kjo që është ofruar nga ana e West Ham për të pasur në dispozicion shërbimet e Dembele. Nëse Juventus e dëshiron vërtet transferimin e lojtarit në Torino, atëherë është i detyruar që oferta të jetë akoma edhe më e madhe në mënyrë që të mposhtë konkurrencën me skuadrat e tjera. Krahas interesit për Moussa Dembele, Marotta, po vëzhgon nga afër edhe situatën e sulmuesit tjetër, atij të Olimpique Lyon, Alexandre Lacazette. Për numrin 10 të klubit francez, janë vënë në ndjekje Man.United, Arsenal, Atletico Madrid dhe Bourssia Dortmund. Për të lënë të lirë lojtarin drejtuesit e Lyon kërkojnë 60 milionë euro.