Gjobat e Shullazit, Dani tërhoqi 70 mijë euro kesh

Emiljano Shullazi dhe banda e tij, me anë të kërcënimit dhe dhunës fizike i ka marrë biznesmenit Ylvi Beqja në formën e gjobës rreth 550 mijë euro para cash. Kështu thuhet në vendimin e gjykatës, bazuar në provat e siguruara nga dy prokurorët e çështjes në dosjen ndaj Shullazit dhe “bandës” së tij. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, bashkëpunëtori i drejtësisë Ylvi Beqja ka rrëfyer me detaje para prokurorëve, të gjithë kalvarin e proceseve gjyqësore për të marrë ish-hotel Vollgën si përfaqësues i kompanisë arabe. Si dhe ka treguar njohjen dhe takimet me Emiljano Shullazin dhe dhunën e kërcënimet që ky i fundit i ka bërë, duke detyruar të paguajë në formë gjobe rreth 550 mijë euro cash.
Burimet thonë se, biznesmeni tashmë i mbrojtur, ka treguar se, si pasojë e kërcënimeve dhe dhunës është detyruar t’i paguajë Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij rreth 400 mijë euro cash. Para këto që janë provuar se i ka tërhequr nga bankat e nivelit të dytë në disa raste, duke ia dorëzuar pjesëtarëve të bandës së Shullazit. Por, pas dorëzimit të kësaj shume, Beqja ka treguar se për të lënë gjurmë, ka kërkuar që pagesat e tjera të bëheshin me çeqe me arsyetimin se nuk e lejonte kompania që të tërhiqte para CASH. Të ndodhur në këto kushte, Shullazi ka pranuar kërkesën e tij, duke ia dorëzuar tre emrat e të besuarve të tij, si personat në emër të të cilëve do kalonin paratë.
Në vendimin e gjykatës thuhet se, në emër të Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit, biznesmeni Ylvi Beqja ka lëshuar dy çeqe me një vlerë rreth 70 mijë euro. Para të cilat, rezulton se janë tërhequr më pas nga banka e nivelit të dytë nga vetë i dyshuari Dani. Po me kërkesë të Shullazit, biznesmeni Beqja ka lëshuar edhe dy çeqe të tjera për nipin e tij tashmë të arrestuar Endri Zela, i cili rezulton nga banka e nivelit të dytë se ka thyer çeqet, duke tërhequr shumën e 50 mijë eurove. Veç Danit dhe Zelës, mësohet se Prokuroria ka provuar se edhe Endri Qyqja, i besuari tjetër i Shullazit, ka thyer një çek me vlerë rreth 16 mijë euro, që biznesmeni Beqja e ka lëshuar në emër të tij në formën e pagesës së gjobës.
Të gjitha këto pretendime, thuhet në vendimin e Gjykatës, janë pasqyruar në kallëzimin që Beqja ka dhënë para hetuesve me cilësinë e dëmtuarit që tashmë ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë.

Lihen në burg “ushtarët” e Shullazit

Endrit Zela dhe Endrit Qyqja të arrestuarit si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit u lanë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja ka fundosur bandën. Dy të arrestuarve iu është konfirmuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Dy të arrestuarit nuk kanë folur para Gjykatës, por përmes avokatit të tyre nuk i kanë pranuar akuzat. Dy ditë më parë, Endrit Qyqja dhe Endri Zela u prangosën sapo hynë në burg, për të zhvilluar një takim me Shullazin.
Të dy, në bashkëpunim me shtetasit Emiljano Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se shtetasit Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.

Exit mobile version