Basha: Rama s’ka më kontratë me qytetarët por me krimin e drogën

Edi Rama dhe krimi janë bërë një, sepse Edi Rama erdhi në pushtet me krimin, po e mban pushtetin me krimin dhe shpreson ta rimarrë me krimin. Këtë deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Devollit. Edi Rama, theksoi zoti Basha e quan opozitë më të keqe se krimin, sepse çdo ditë po fakton para qytetarëve lidhjet e tij me krimin, mbrojtjen që i jep krimit dhe kthimin  e Shqipërisë në hambar droge. “E ka shkelur kontratën me shqiptarët, sepse premtoi rend dhe siguri. Por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi. Solli kriminelët dhe i bëri anëtarë të Parlamentit, deputetë, kryetarë të bashkive të vendit, i bëri drejtor të mëdhenj në polici, në dogana, në tatime, në OSHE, duke i kthyer të gjithë këto organizata që ishin në shërbim të shqiptarëve në organizata të mirëfillta kriminale. Dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se, opozita është më e keqe se krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret. Si mund të jetë opozita më e mirë se krimi, kur Edi Rama dhe krimi janë bërë njësh me qëllim për të mbajtur pushtetin, për të bërë më shumë para, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të prishur vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Edi Rama në këto tre vjet, theksoi zoti Basha, i ka shërbyer vetëm krimit dhe një grupi njerëzish të lidhur me të, të cilët janë pasuruar me paratë e qytetarëve, ndërsa varfëria dhe mjerimi për 90% të shqiptarëve është shtuar. Edi Rama e ka prishur kontratën me qytetarët, duke mos mbajtur asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. E si çdo kush që ka sanksione për mos zbatim të kontratës është koha që edhe qytetarët të largojnë Edi Ramën për shkelje të kontratës me ta”. Basha tha se ky kryeministër mbron ata që janë në kërkim policor, ndihmon të arratisen ata që janë të dënuar, ulet, drekon, darkon, bën pazare me kriminelët më të njohur të Shqipërisë dhe të Ballkanit. “Nga ana tjetër arreston, keqtrajton, dhunon, poshtëron qytetarët e pambrojtur. Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama në tre vite. Për njerëzit në nevojë ekonomike nuk ka ndihmë ekonomike, për pensionistët nuk ka rritje pensioni, për të papunët nuk ka shanse për punë, për të pambrojturit vetëm kërbaç, për kriminelët Shqipëria është kthyer hambar droge. Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas. Dhe ditën që mori pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij. Në këtë gjendje, ku është vendi sot kemi ardhur, sepse Edi Rama ka shkelur, dhunuar, braktisur kontratën me qytetarët. Qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë se çfarë ndodh nëse dikush prej tyre, dikush prej nesh nuk arrin të plotësojë dot fjala bie termat e kontratës me ujësjellësin apo me OSHE, çfarë ndodh?! Pritet uji, priten dritat, vijnë gjobat, vjen edhe policia. Po me këta zaberhanë që ka prishur e shkelur kontratën me gjithë shqiptarët në këto tre vjet. Çfarë do të bëjë populli? Sot jemi përpara një detyre historike t’i prijmë këtij vullneti popullor dhe të rrëzojmë një orë e më parë shkelësin e kontratës, të inkriminuarin, të korruptuarin Edi Rama dhe skotën e tij në qeveri”.

Exit mobile version