Gjobëvënia, Prokuroria zgjeron hetimet ndaj Shullazit e “bandës” së tij

Prokuroria për Rrime të Rënda, ka zgjeruar rrethin e personave nën hetim për dosjen e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja dhe ish-hotel “Vollgën” në Durrës. Bëhet e ditur se, veç Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të bandës së tij, Prokuroria po heton edhe familjarë të Lulzim Berishës, i dënuar si kreu i “bandës” së Durrësit, tashmë i liruar nga burgu. Burimet thonë se, për llogari të këtij hetimi, është sekuestruar kjo deklaratë noteriale, e firmosur në gusht të vitit 2014 nga Ylvi Beqja tashmë me cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur dhe motra e Lulzim Berishës.
Sipas dëshmisë së biznesmenit Beqja dhënë në Prokurori, e motra e Lulzim Berishës i ka premtuar kthimin dhe regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në emër të kompanisë arabe, të cilët i përfaqësonte Ylvi Beqja kundrejt shpërblimit prej 500 mijë eurove. Për të justifikuar kalimin e kësaj shume, pas regjistrimit të pronës, Beqja i ka thënë hetuesve, se motra e Lul Berishës i ka kërkuar të firmosë një deklaratë noteriale, duke pretenduar se paratë ia kishte marrë borxh ndër vite. Në dëshmi, biznesmeni Beqja, thotë se është detyruar të firmosë këtë deklaratë, duke pranuar se i kishte marrë para borxh familjes së Lul Berishës fillimisht 300 mijë marka në vitin 1996, një shumë tjetër prej 100 mijë dollarë amerikan në vitin 1998 dhe shumën prej 150 mijë eurove në vitin 2004.
Për kthimin e borxhit me gjithë interesa, Beqja kishte firmosur se do ja kthente deri në fund të muajt tetor të vitit 2014 të gjithë shumën prej 500 mijë eurove. Nëse nuk do ja kthente shumën, e motra e Lul Berishës kishte të drejtë të bllokonte dhe bëhej pronar e të gjitha pronave e aseteve të tjera në vlerën e 500 mijë eurove, që dispnonte Ylvi Beqja. Shumë e cila duhet të paguhej për 2 muaj e gjysëm nga momenti i nënshkrimit të deklaratës. Sipas Prokurorisë, për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në emër të Ylvi Beqajt, i dyshuari Emiliano Shullazi ka kërkuar dhe marrë 30% të pronës, ndërsa e motra e Lul Berishës ka kërkuar 500 mijë euro për këtë punë. Për këtë fakt, Prokuroria po heton edhe pjesëtarët e familjes së kreut të bandës së Durrësit si bashkëpunëtor në dosjen në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë tashmë të arrestuar.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.

Exit mobile version