Gjyqi ndaj Prengës, dëshmon mjeku: Dy persona ishin të plagosur me armë

Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj deputetit të PS, Armando Prenga, Gjykata mori dëshminë e mjekut Artan Distafa, i cili ka qenë mjek roje natën e ngjarjes. “Dy persona ishin të plagosur me armë zjarri në këmbë, emrat s’i mbaj mend”, ka deklaruar mjeku.
Në seancën e djeshme ishin thirrur për të dëshmuar edhe tre anëtarë e familjes Cali, por ata nuk janë paraqitur për të dëshmuar kundër deputetit Prenga. Gjol, Julian e Dorian Cali ishin parashikuar të dëshmonin seancën e djeshme, por në kushtet e mosparaqitjes së tyre Gjykata kërkoi të shoqërohen me forcë nga policia seancën e radhës.
Armando Prenga akuzohet për plagosje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje në lidhje me konfliktin për lagunën e Patokut. Sipas Prokurorisë, Prenga është gjetur fajtor për armëmbajtje pa leje, plagosje dhe kanosje të kryera ndaj vëllezërve Tom e Gjok Cali, vepra penale për të cilat ai rrezikon 23 vite burg.
Shkak për këtë konflikt sipas akuzës ishte pronësia mbi Lagunën e Patokut dhe e drejta e shfrytëzimit për peshkim në këtë lagunë. Për herë të parë, në akuzat ndaj deputetit Prenga, Prokuroria flet dhe për një armë automatik të përdorur në përleshjen mes Prengës e Calëve pranë Komisariatit të Kurbinit, por ky automatik nuk është gjetur dhe nuk është identifikuar se cili person e përdori atë natë.
Ndërsa, referuar pistoletës me të cilën u plagos Tom Cali, Prokuroria thotë se ajo është përdorur nga Prenga dhe nuk është pistoleta me leje siç pretendon deputeti, por një armë pa leje.
Nga hetimet rezulton se, më datë 04 shtator 2015, rreth orës 22:30, personi nën hetim Armando Prenga, ka shkuar tek lokali i shtetasit Gjok Cali, ndodhur në Lagunën e Patokut, dhe tek ura e lokalit ka kontaktuar me djalin e tij Dorian Cali dhe nipin Julian Cali, me të cilët ka debatuar. Shtetasi Dorian Cali ka njoftuar për këtë ngjarje, nëpërmjet telefonit, babain e tij Gjok Cali. Ky i fundit është nisur menjëherë në drejtim të lokalit me automjetin e tij. Gjatë rrugës, ai është përballur në vendin e quajtur Fushë Kuqe me shtetasin Armando Prenga, i cili po udhëtonte me automjet bashkë me shtetasit Luigj Skura, Gazmir Jushi dhe Gjon Prenga. Në këtë moment, shtetasit Gjok Cali e Armando Prenga kanë ndaluar automjetet dhe shtetasi Gjok Cali i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen e ndodhur me të birin pak më parë. Më pas, ata janë konfliktuar mes tyre dhe Prenga ka nxjerrë pistoletën dhe e ka goditur shtetasin Gjok Cali në kokë me qytën e saj, duke i shkaktuar dëmtime.

Exit mobile version