Gjyqtarët e tredhur lirojnë Kërrmën e Kavajës

Gjyqtarë të keqpërdorur dhe nën kërcënim nga organizata kriminale lirojnë përdhunuesin dhe trafikantin.
Gjykata e Lartë ka liruar nga arresti shtëpiak duke vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Lirimi i Roshit është bërë pas presioneve të Ramës. Elvis Roshi akuzohet nga Prokuroria se ka falsifikuar të dhënat në formularin e dekriminalizimit.
Gjykata nuk dha argument për ndryshimin e masës së sigurisë, që shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilët e patën izoluar në “arrest shtëpiak” kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në gjykatë, që u përfaqësua nga avokati Theodhori Sollaku. Nga ana tjetër, pesë gjyqtarët e Kolegjit Penal nuk pranuan kërkesën e Prokurorisë, që kreu i Bashkisë së Kavajës të qëndrojë i izoluar në shtëpi siç kishte vendosur në qershor të këtij viti dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit në vend.
Prokuroria thotë se, në çështjen e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe dy shkresa të përcjella përmes Interpol Tiranës në të cilat autoritetet e huaja përcjellin informacion për të. Më pas Roshi e anuloi dorëheqjen.
Në qershor Gjykata e Tiranës dha masën arrest shtëpie për Elvis Rroshin, ndërsa në korrik Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, teksa kreu i Bashkisë Kavajë kërkoi shfuqizimin e kësaj mase dhe kthimin në detyrë.
Elvis Rroshi akuzohet se ka përdorur 5 emra të rremë në vende të ndryshme të BE-së, të cilat nuk ishin deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Roshi figuron i dënuar në Itali në vitet ’90 për përdhunim në grup. Sipas Prokurorisë ai ka përdorur të paktën 5 emra të ndryshëm gjatë kohës kur ka qenë emigrant. Në përgjigje të 8 qershorit Zvicra njofton Shqipërinë se, ky shtetas njihet me emrat Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi.
Zvicra shton se në prill 1993 Roshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge. Akuza janë ngritur nga Prokuroria pas shkresave të EUROPOL-it që tregojnë të kaluarën kriminale të Elvis Roshit ndër vite në Itali, Gjermani e Zvicër.
Prokuroria e Tiranës, e cila po heton Elvis Rroshin, deklaroi se ky i fundit nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
“Gjithashtu, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit”, deklaroi Prokuroria.

5 identitetet e fshehta të Roshit

Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht. Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zvicerane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të gjykatës zvicerane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zviceran. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë. Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit.

Dosja e DEA-s, Roshi pjesë e hetimit ndërkontinental për trafik droge

Në materialet e ardhura nga zyra kombëtare e EUROPOL-it drejtuar Prokurorisë për shtetasin Elvis Rroshi, njoftohet edhe për një hetim ndërkontinental të trafikut të drogës. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se në vitin 2015, administrata për luftën kundër drogës e njohur si DEA ka njoftuar autoritetet zvicerane për nisjen e një hetimi të zgjeruar për një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës dhe pastrim të parave. Autoritetet zvicerane i konfirmojnë palës shqiptare se DEA amerikane ka kërkuar informacion për një grup personash, në mesin e tyre edhe për shtetasin Enver Rroshi, emër ky i përdorur nga kreu i Bashkisë së Kavajës në Zvicër. Për këtë rast, thonë burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare, autoritetet zvicerane dhe DEA amerikane po vazhdojnë hetimet dhe për këtë fakt janë treguar shumë të rezervuara në dhënien e detajeve. Sipas shkresës së ardhur nga zyra kombëtare e EUROPOL-it, autoritetet zvicerane kanë premtuar se nëse do të kenë më shumë informacione për vazhdimin e këtij hetimi do të njoftohet pala shqiptare. Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion edhe nga autoritetet e drejtësisë gjermane, pasi dyshohet se Elvis Rroshi ka kryer aktivitet të paligjshëm edhe në këtë shtet. Pasi edhe në formularin e deklarimit ai jep të dhëna të paqarta për rastin e përplasjes së tij me policinë gjermane. Por, autoritetet gjermane, në përgjigjen e tyre, theksojnë faktin se sipas legjislacionit gjerman nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi në Shqipëri. Ata thonë, se nëse flitet për drogë, duhet të jepen detaje të origjinës së mallit, rrugën që ka ndjekur etj. Nëse flitet për raste të konfiskimit të drogës, gjermanët kërkojnë të dhëna si sasinë e konfiskimit, datën apo vendin, si dhe mbi rrethanat e plota të rastit ose lidhjet e mundshme me Gjermaninë për të hyrë në arkivën e tyre që të nxjerrin të dhëna.  Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës është arrestuar për falsifikim, pasi nuk ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit 5 emrat që ka përdorur në vende të ndryshme, si dhe kontrollet, arrestimet, dënimet dhe dëbimet nga shteti italian e zviceran.

Exit mobile version