6 tonë drogë nga Shqipëria u bllokua në Itali në një javë

Rreth 6 tonë kanabis sativa e nisur nga Shqipëria janë sekuestruar nga policia italiane vetëm në një javë në katër operacione. Sipas mediave italiane, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet në 60 milionë euro nëse do të dilte në treg.
Më 4 tetor, Guardia di Finanza në Rimini sekuestroi 2 tonë kanabis, 10 kg kokainë dhe 90 kg heroinë. Operacioni i koduar “100%” i kishte nisur hetimet në gusht të vitit 2013. Sipas mediave italiane, 16 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë vënë nën hetim. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se, droga trafikohej me anë të mjeteve lundruese përmes detit nga Shqipëria.
Më 5 tetor një gomone me 750 kg drogë nag Shqipëria u kap në Leçe. Mediat italiane shkruanin se, gomonia me drogë ishte nisur nga Vlora, ndërsa autoritetet italiane e kanë pikasur në kanalin e Otrantos. “Ka qenë një patrullë e Policisë Financiare me helikopter që ka pikasur gomonen oqeanike tek përpiqej të arrinte brigjet e Salentos në veri të Otrantos”, shkruanin mediat italiane. Sipas tyre, operacioni u zhvillua në ngushticën e Otrantos.
Kështu ndodhi dhe në orët e para të së martës. As deti i trazuar i mesnatës, nuk i ka ndaluar dy skafistë nga Vlora që të përshkojnë hapësirën detare mes vendit tonë dhe Italisë. Me skafin e ngarkuar me mbi 700 kg kanabis, ata kanë mundur t’i rrëshkasin autoriteteve shqiptare, por kanë rënë në rrjetat e policisë italine në Torre Chianca-Leçe. Në orët e para të së martës, autoritetet policore italiane njoftuan sekuestrimin e 734 kilogram hashash i nisur nga Shqipëria me një gomone. Policia njoftoi se, njësitë aerodetare të Guardia di Finanza kanë arritur të ndalojnë një gomone rreth 6 metra të gjatë, që po transportonte rreth 734 kg kanabis.
Në pranga ranë dy shqiptarë 43 dhe 39 vjeç që ishin në bordin e gomones. Sipas policisë, gomonia kishte dy motorë prej 250 kuaj fuqi dhe një tjetër motor rezervë në bord. Pak pas orës 01:00 të së martës, anijet e repartit operativ aeronaval të Barit kanë vërejtur një barkë të dyshimtë që ecte me shpejtësi drejt brigjeve salentine. Edhe skafistët kanë parë policinë dhe janë munduar më kot t’i shpëtojnë. Ndjekja, sipas mediave italiane, ka zgjatur pak dhe policia ka mundur që të sekuestrojë dhe sasinë e kanabisit dhe gomonen.
Droga ishte e paketuar në 30 pako të dimensioneve të ndryshme. Ngarkesa e kapur mendohet të ketë vlerën e 7 milionë eurove.
Ndërkohë vetëm në ditët e fundit janë kapur në katër raste sasi të konsiderueshme bimësh narkotike të nisura nga Shqipëria drejt Italisë. Në mesin e shtatorit, në një tjetër udhëtim droge rreth 30 km larg Brindisit është bllokuar një tjetër gomone me gati 700 kg që vlente po rreth 7 milionë euro.
3 kuintalë kanabis kapet në brigjet italiane
Policia italiane ka sekuestruar ditën e djeshme 3 kuintalë kanabis të mbërritur nga Shqipëria në dy operacione. Një skafist shqiptar me një skaf 125 kuaj fuqi ka tentuar dje të shkarkojë në brigjet italiane, në San Cataldo, 277 kg kanabis. Aty po e prisnin tre bashkëpunëtorët e tij, por policia italiane i ka pritur në breg, ndërsa shkarkonin mallin dhe i ka arrestuar në flagrancë që të 4 trafikantët. Policia italiane bëri të ditur se, tashmë janë sekuestruar 277 kg kanabis si dhe mjeti lundrues skaf që i transportonte.
Nga të arrestuarit, njëri prej tyre ishte skafist, ndërsa tre të tjerët e prisnin në breg dhe konkretisht: E.D, 39 vjeç, banues në Vlorë, drejtuesi i skafit, B.S, 29 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali, A.M, 29 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali, G.D, 39 vjeç, nga Vlora, rezident në Itali. Po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Po ditën e djeshme, një sasi prej 42.5 kg drogë e llojit marijuanë është sekuestruar nga policia italiane në Agi, ndërsa në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar shqiptar. Shqiptari me iniciale O.N, ma banim në Cesena, u kap në afërsi të autostradës A14 në Forlì. Shqiptari nuk i ndali policisë pavarësisht thirrjes, ndërsa la automjetin në rrugë, duke ikur nëpër fusha në këmbë. Forcat e rendit arritën që ta kapnin. Ishte ndarë në tri qese të mëdha, në 35 pako të vogla të mbështjella me celefon.

Sekuestrohen 3.3 kuintalë drogë në Itali dhe Greqi

Një aksion i madh i policisë italiane i zhvilluar gjatë natës ka çuar në pranga 53 persona, mes të cilëve dy shqiptarë. 18 nga të arrestuarit janë dërguar në burg, ndaj 15 të tjerë janë nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa për 20 të tjerë është vendosur masa e ndalimit të shoqërimit në vende të caktuara pa pasur më parë një leje nga Gjykata.
Gjatë 18 muaj hetimesh, operacioni “Taraqa” ka çuar në zbulimin e një organizate që trafikonte sasi të mëdha droge (kokainë dhe hashash). Gjithçka ka nisur nga monitorimi i lëvizjeve të një marokeni, me banim në provincën Rovigo. Më pas, hetimet janë thelluar dhe kanë çuar në konfiskimin e sasive të mëdha të drogës dhe arrestimin e trafikantëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Gjithsej, gjatë operacionit “Taraqa”, janë sekuestruar më shumë se 1 kuintal drogë, 100 kg hashash dhe 2 kg kokainë. Këtyre numrave u shtohet edhe droga e sekuestruar më herët në vrazhdën e hetimeve, ku janë arrestuar edhe 22 persona në flagrancë. Gjatë këtij operacioni janë angazhuar 360 agjentë policie, 8 qenë dhe një helikopter.

Kapen në Greqi 230 kg kanabis nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar 230 kg kanabis në vendin e quajtur Eksarkia, ndërsa gjatë operacionit janë vënë në pranga disa shtetas shqiptarë dhe grekë. Mësohet se droga ishte futur në Greqi nga Shqipëria dhe ishte e destinuar për tregun vendas. Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca policie, ndërsa është njoftuar edhe një konferencë për mediat nga ana e autoriteteve greke ku do të bëhen të ditura të tjera detaje të aksionit. Policia greke po heton për bashkëpunëtorët e tjerë në trafikimin e drogës nga Shqipëria.

R.POLISI

Exit mobile version