Gjyqtari Miri në spitalin e burgjeve, kërkon lirinë

Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit Tiranë, që po hetohet në masën “arrest në burg” për akuzën e “korrupsionit”, kërkon të dalë nga qelia. Pak ditë pasi Apeli për Krimet e Rënda la në fuqi këtë masë sigurie, Miri i është drejtuar me një kërkesë tjetër Shkallës së Parë. Në kërkesën e shqyrtuar të enjten, gjyqtari i shprehte kolegëve të Krimeve të Rënda nevojën për t’i zbutur masën e sigurisë për arsye shëndetësore.
Pretendimet u paraqitën nga avokati i tij mbrojtës, për shkak se i dyshuari Miri prej disa ditësh qëndron në spitalin e burgjeve. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati ka argumentuar se problemi shëndetësor i klientit të tij të diagnostikuar me tumor, kërkon ndihmë mjekësore të specializuar dhe se mbajtja në qeli mund t’i rrezikojë jetën.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata ka caktuar dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata do të ekzaminojnë gjyqtarin Miri në ambientin e paraburgimit, për të dalë në një përfundim nëse qëndrimi në qeli është shkak që i rëndon gjendjen shëndetësore, apo paraqet rrezik për jetën.
Shkëlqim Miri u arrestua në 10 nëntor 2017. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar nga Gjykata e Matit, për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997 në Burrel.
Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e gjyqtarit, për llogari të hetimit, policia gjeti dhe sekuestroi gati 30 milionë lekë të reja. Deri në këtë fazë të hetimit, ai ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën.

Exit mobile version