Nga Rigels Seliman
Big Brother Albania VIP 4 ka përmbysur çdo ide që kishim për moralin, familjen dhe vlerat shoqërore. Çdo natë, miliona shqiptarë shohin në ekran atë që dikur do të ishte cilësuar si një cirk pa kufij, ku “VIP-at” – të cilët mezi njohin vetë emrat e tyre – tregojnë me krenari se janë më afër të qenit antipodë të rolit që u përket në shoqëri. Por këtë herë, show-u i famshëm arriti një kulm të ri të degjenerimit publik: një burrë, një gjysh, një baba, deklaroi hapur se është homoseksual (gay).
Dhe jo vetëm që e tha, por ishte edhe krenar për këtë! Po, krenar që, në vend që të mishërojë shembullin e një familjari dhe një burri tradicional, vendosi të promovojë atë që shumëkush do ta quante si tallje ndaj vlerave që kanë mbajtur bashkë shoqërinë shqiptare për dekada me radhë. Kjo ndodhi live, në kulmin e audiencës, teksa shqiptarët ishin mbledhur për darkën e Vitit të Ri – një moment që simbolizon familjen dhe bashkimin. Në vend që të shijonim një mbrëmje të qetë, na u servir një shfaqje që ofendon çdo normë e moral që ky komb ka njohur ndonjëherë.
Por le t’i kthehemi thelbit të problemit. A është ky thjesht një rast i izoluar? Apo Big Brother dhe Top Channel po bëjnë gjithçka për të “normalizuar” atë që dikur as guxohej të diskutohej në hapësira publike? A kemi ardhur në një pikë ku televizioni, në vend që të jetë një forcë edukative dhe kulturore, është kthyer në një fabrikë degjenerimi?
Le të jemi të qartë: martesa është një institucion mes burrit dhe gruas. Familja është bërthama e një shoqërie të shëndoshë, dhe nuk ka asgjë krenare në shembullin që i jep brezit të ri një gjysh që shfaqet në televizion për të promovuar “krenarinë” e tij për diçka që është larg nga normaliteti. Për çfarë duhet të jemi krenarë? Për faktin që kemi hedhur poshtë çdo koncept të shenjtë të familjes? Për faktin që toleranca po na shitet si një justifikim për të glorifikuar atë që është e devijuar?
Dhe Top Channel, në vend që të mbronte familjen dhe të promovonte vlerat, zgjodhi të na servirë këtë spektakël të neveritshëm. Në emër të audiencës dhe klikimeve, kjo media e quajti të arsyeshme të përdorë një platformë masive për të bërë propagandë. Sepse, ta pranojmë, kjo është propaganda e shekullit të ri: të promovosh gjithçka që është në kundërshtim me natyrën dhe moralin.
Gjyshi gay dhe gjithë VIP-at që “gëlojnë” në këtë shfaqje janë simptoma e një problemi më të thellë: një degjenerim kolektiv, një humbje totale e busullës morale. Ne kemi nevojë për një kthesë të fortë, për një rikthim te vlerat tradicionale dhe te familja si themel i shoqërisë. Sepse nëse vazhdojmë kështu, çfarë do t’i mbetet më këtij kombi? Një brez që feston dekadencën në vend që të mbrojë vlerat? Një shoqëri që ka harruar se çfarë do të thotë të jesh njeri?
Koha për reflektim është tani. Dhe mbase, edhe për të ndryshuar kanalin.