Suksesi i Shqipërisë në sfidën e fundit të grupit ndaj Rumanisë ka bërë xhiron e botës me mediat më të rëndësishme ndërkombëtare që i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë kombëtares kuqezi. “Goal.com”, një prej portaleve më prestigjiozë i ka bërë një analizë të detajuar paraqitjes së Shqipërisë ndaj Rumanisë, duke vlerësuar në maksimum lëvizjet e trajnerit Gianni de Biasi. Sipas “Goal.com” për të arritur fitoren më të madhe në historinë e futbollit shqiptar, trajneri italian la në stol dy yjet e skuadrës, mbrojtësin dhe kapitenin Lorik Cana dhe mesfushorin luftarak, Taulant Xhaka duke bërë të njëjtën gjë që bëri trajneri i Francës, Didier Deschamps në sfidën ndaj kuqezinjve, me këtë të fundit që uli në bankinë mesfushorin Paul Pogba dhe sulmuesin Antoine Griezmann.
“Goal.com” shkon edhe më tej me vlerësimet e saj teksa thekson: “Nëse kualifikimi do të bazohej te pasioni, nuk do të kishim asnjë dyshim që Shqipëria do të kualifikohej për në raundin e 1/8-ave të Euro 2016”. Goli i Armando Sadikut ndaj Rumanisë ndriçoi një komb të tërë dhe tani Shqipëria është me sytë nga grupet e tjera, me shpresën se mund të vazhdojë ëndrrën.
“Goal.com” në analizën e saj e cilëson suksesin e Shqipërisë si më të madhin e historisë së futbollit shqiptar, por fitorja ndaj Rumanisë mund të mos mjaftojë sepse Shqipëria nuk favorizohet shumë nga golavarazhi dhe nga situata e grupeve të tjera. Në fund të shkrimit të saj faqja e specializuar nënvizon se, për ata tifozë të mrekullueshëm që kanë ngjyrosur në ngjyrën e kuqe tre stadiumet ku Shqipëria ka luajtur në këtë Europian, të besuarit e Gianni de Biasit do ta meritonin kualifikimin për në raundin me eliminim direkt.