Goditje e bujshme

Manchester United duket se është fituesi i garës për Romelu Lukaku. Sipas britanikes “Sky Sports UK”, sulmuesi belg do të transferohet nga Evertoni te “Djajtë e Kuq” për plot 85 milionë euro. Kjo është shifra e jashtëzakonshme që Jose Mourinho do të paguajë, edhe pse drejtuesit në “Goodison Park” njoftojnë se marrëveshja ende nuk mund të quhet e mbyllur.
24-vjeçari ishte edhe një prej objektivave kryesorë të Antonio Contes në merkato, që kërkonte ta rikthente në “Stamford Bridge”. United i parakaloi blutë e Londrës pikërisht në finish. Gara e humbur lidhet me faktin se, Chelsea u frenua disi, për shkak se pret që të finalizojë largimin e Diego Costas drejt Atletico Madrid.
Tashmë, fjalën e fundit e kanë drejtuesit e Evertonit, të cilët e kanë bërë të qartë edhe në të kaluarën se Lukaku do të largohej nga skuadra vetëm për një shifër të parezistueshme. Belgu është përzgjedhur nga Jose Mourinho si pasardhësi i Zlatan Ibrahimoviç në “Old Trafford”. Sezonin e kaluar, Romelu Lukaku e mbylli me 25 gola të shënuar në Premier League: shifër që jep garanci për “Djajtë e Kuq”.
Pas transferimit të Lukakut në Mançester, kapiteni Uejni Runi pritet të rikthehet te Evertoni. Futbollisti anglez ka shumë pak hapësira aktivizimi në skuadrën e Murinjos dhe largimi është alternativa e vetme për  të.
PSG është gati t’i rrëmbejë Liverpoolit yllin brazilian Coutinho. Sipas mediave pariziene, Al Khelaifi ka prezantuar ofertën në “Anfiel Road”. Rreth 85 milionë euro synon të paguajë sheiku për të pasur shërbimet e sulmuesit të skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp.
West Ham është në avantazh krahasuar me klubet e tjera në garën për të firmosur me sulmuesin e Burnley, Andre Gray. 26-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2018 me klubin aktual, por interesimi i “Çekanëve” ka bërë që Gray të mos pranojë rinovimin e kontratës, duke u bërë me dije drejtuesve të Burnley se dëshira e tij është të ndryshojë ambjent.
Alexis Sanchez kërkon trefishim të pagës për të qëndruar në “Fly Emirates”. Sulmuesi kilian që aktualisht përfiton 125 mijë pound në javë, synon të arkëtojë 400 mijë për të vazhduar karrierën me Arsenalin. Kërkesa e ekzagjeruar ekonomike po analizohet nga stafi i klubit që do t’i kthejë një përgjigje përfundimtare sulmuesit.

Exit mobile version