Gostia e madhe/ Qeveria miraton privatizimin e bregdetit tek Strategjikët e resorteve

Në kulmin e fushatës elektorale, qeveria shqiptare ka miratuar një vendim, i cili i hap rrugën privatizimit të bregdetit tek ndërtuesit e resorteve.

Vendimi ndryshon rregullat se si privatizohet prona shtetërore duke u dhënë te drejtë atyre që kanë përfituar kontrata me qira 1 euro, të privatizojnë truallin me çmime reference.

“Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin për përfshirjen në procedurë privatizimi të pronës shtetërore, objekt kontrate të dhënë me qira me tarifë 1 euro/kontrata, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m2, përpara përfundimit të kontratës së qirasë. Kur në pronën shtetërore të dhënë me qira 1 euro, subjekti ka investuar mbi 5 milionë euro, atëherë atij i lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të truallit me çmimet e përcaktuara në hartën e çmimeve të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Kapitali ka mësuar se vendimi është lobuar fort nga ndërtues të caktuar të resorteve në Jug. Fillimisht ministria e Ekonomisë e ka kundërshtuar aktin.

Kapitali ka mundur të shohë një memo të brendshme të ministrisë së Ekonomisë, që shprehej kundër vendimit. Por pas direktivave nga lart, Blendi Gonxhja është dorëzuar duke përgatitur me shpejtësi projektvendimin e lobuar fort nga oligarkët e resorteve.

Harta referencë e vlerës së tokës është miratuar që në vitin 2016. Aktualisht për bashkitë bregdetare të jugut çmimet e saj variojna nga 4 mijë deri në 5 mijë lekë për metër katrorë.

Për shembull në bashkinë Himarë, çmimi referencë është 4350 lekë për metër, në Orikum 5530 lekë për metër, ndërsa në 10 mijë e 700 lekë për metër.

Ky akt i hap rrugën privatizimit masiv të bregdetit shqiptar tek investitorët strategjikë, të cilët kanë përfituar tokë shtetërore me qira 1 euro. Bëhet fjalë për miliona metra katrorë bregdet, i cili tashmë do të shkojë në duar private./ kapitali.al

Exit mobile version