Grabitet Argjendaria nën hundën e Tahos

Një argjendari është grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në mes të Tiranës pranë sheshit “Avni Rustemi”. Bëhet e ditur se sasia e arit që agresorët kanë marrë është tepër e madhe. Sipas pronarit të saj, vlera e mallit të grabitur është më shumë se 500 mijë euro. Ai thotë se, janë grabitur 8 kg flori, 25 kg argjend dhe gati 250 ora të ndryshme. Vjedhja është zbuluar vetëm orët e para të mëngjesit nga të zotët e argjendarisë. Këta të fundit kanë bërë denoncimin në polici.
Mësohet se, agresorët kanë shfrytëzuar një godinë ngjitur me argjendarinë për të hyrë brenda. Grabitësit kanë hapur dy të çara në mur, duke hyrë më pas në ambientet e argjendarisë. Përpara se të largohen, autorët kanë prishur kamerat dhe kanë shkulur hard diskun për të fshirë pamjet e kamerave të sigurisë.

Pronari: Unë falimentova, por shyqyr që kam jetën

Pronari i argjendarisë së grabitur në Tiranë ka thënë se, tashmë ka falimentuar. “Janë marrë rreth 250 ora, 25 kilogramë argjend dhe 8 kilogramë flori. Është mundi dhe djersa e familjes sime për 25 vite. Unë falimentova, por them shyqyr që kam jetën, sepse miqtë e mi kanë humbur edhe jetën nga kjo punë. Kam bërë ç’është e mundur për të mbrojtur sigurinë e saj. Është vjedhur komplet serveri dhe kamera brenda. Firma e sigurimit privat nuk e ka çuar deri në fund hetimin, ata nuk më kanë njoftuar për rënien e alarmit”, tha pronari Pavlo Shkarpa.
“Nuk është bërë vjedhje nga vitrina ballore, por nga ana e objektit. Vjedhja është spektakolare, mafioze e organizuar dhe sofistikuar. Ka një organizim perfekt nga mënyra se si janë marrë gjërat. Ata janë njohës të mirë të vjedhjes së floririt. Janë gjetur çelësat e kasafortës që ishin të fshehur shumë mirë”, tha pronari.
“Është hera e dytë që vidhem brenda 3 muajsh. Tani nuk jam i siguruar, pasi jam në gjyq për vjedhjen e parë, duke qenë se nuk e kam parë sigurimin. Godina që po restaurohet është Monument Kulture dhe Prokuroria duhet të hetojë lejen e ndërtimit të saj. Ajo u dha fillimisht dhe më pas u pezullua. Godina është tërësisht e hapur dhe mund të futet kushdo. Janë hapur tre mure deri sa kanë hyrë tek argjendaria ime. Kanë bllokuar serverin e kanë mbyllur të gjitha kamerat”, ka thënë ai.
Katër vite më parë, tre persona me maska në kokë e armë në duar, dy me pistoleta e njëri me thikë, kanë hyrë në argjendarinë e shtetasit Pavllo Shkarpa, vetëm pak metra nga sheshi “Avni Rustemi”. Ngjarje kjo e ndodhur me 14 prill të vitit 2012. Pronari i argjendarisë, shtetasi Pavllo Shkarpa, i cili ka tentuar të reagonte është qëlluar me tytën e pistoletës në kokë, duke rënë pa ndjenja. Të rinjtë kanë marrë gjithë buzhuteritë që ndodheshin në tavolinë e banak e më pas, duke rrëzuar manekinët, kanë hequr gjithë mallin e ekspozuar.
Pjesa e jashtme me xhama e ka bërë transparente ngjarjen për kalimtarët e rastit, por edhe për tregtarët e tjerë që vepronin aty pranë. Në kohën kur tre grabitësit po mblidhnin bizhutë e fundit para se të largoheshin, telefonata denoncuese kishte mbërritur në Policinë e Tiranës, e cila nisi disa shërbime drejt vendit të ngjarjes.
Tri grupe të patrullës së përgjithshme u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes nga drejtime të ndryshme, nga qendra e Tiranës, nga Unaza dhe nga zona e Komisariatit Nr.4. Ndërkohë, autorët e krimit, pasi dolën nga argjendaria, bënë një ndarje të mallit aty për aty dhe ia mbathën vrapit. Ata u arrestuan më vonë.

Exit mobile version