Gratë sot pjesëmarrje masive kundër keqqeverisjes

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi bëri thirrje nga Kukësi  për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit për të mbrojtur Shqipërinë nga destabilizimi. Vokshi tha se Rama po nxjerr nga burgjet kriminelët për të mbajtur pushtetin me dhunë.
“Rama po nxjerr nga burgjet të gjithë kriminelët e arrestuar nga Sali Berisha. Mbi 200 banda u arrestuan, shumë prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjet dhe krimet e kryera. Çfarë ndodh tani? Keni dëgjuar që me urdhër të Ramës gjykata shpalli të pafajshëm bandën më të rrezikshme Hakmarrjen për Drejtësi. Rama po nxjerr të gjithë kriminelët e arrestuar, ku jetojmë ne, fëmijët tuaj, a jemi ne të sigurt me këtë qeveri të lidhur me bandat dhe krimin? Ne duhet të reagojmë, ne nuk mund të heshtim më jo për veten tonë, as për mirëqenien tonë, as për PD, reagoni për familjet tuaja, fëmijët tuaj, reagoni sa nuk është vonë për të shpëtuar familjet tona. Nëse gratë reagojnë, atëherë reagon gjithë shoqëria. Nëse ne ngrihemi në këmbë për të kërkuar të drejtat tona, atëherë të gjithë qytetarët e Shqipërisë marrin forcën që kanë gratë. Thirrja ime nuk është si politikane, as si kryetare e LDGSH dhe si deputete, por një thirrje e imja si nëna e dy vajzave të vogla. Unë do të luftoj deri në fund që vajzat e mia të kenë një të ardhme të sigurt,  jo në Gjermani dhe në një vend të BE, por këtu në Shqipëri. Le të bëhemi bashkë në një lëvizje pa kthim në mbrojtje të vlerave, në mbrojtje të traditave familjare, në mbrojtje të të drejtave të të gjitha grave dhe vajzave shqiptare”.
Deputetja Vokshi deklaroi se Kukësi dhe Shqipëria janë lënë qëllimisht në varfëri për t’i shtypur njerëzit si në kohën e diktaturës. Gjysma e familjeve kuksiane jetojnë me 60 lekë në ditë, ndërsa Edi Rama grabit pasuritë minerare dhe hidrike të Kukësit.
“A kemi ne gratë arsye për t’u ngritur të revoltuara për shkeljen e të drejtave tona? A kemi ne gratë arsye për t’u ngritur dhe për të protestuar se fëmijët tanë po emigrojnë, sepse Edi Rama gënjeu kur tha se do të hapë 300 mijë vende pune? A është hapur ndonjë vend i ri pune në Kukës, a është punësuar ndonjë nga vajzat apo djemtë tuaj këtu në Kukës, në vendet që hapi qeveria, qoftë edhe një prej jush? Unë do të isha shumë e kënaqur të takoja një djalë apo vajzë të punësuar nga vendet e punës që krijoi Edi Rama.
Arsim nuk kanë se ju mbylli dyert e universiteteve, punësim nuk kanë se Edi Rama mashtroi. Atëherë çfarë do të bëjnë djemtë dhe vajzat tona…do të emigrojnë! Sa familje kanë emigruar vetëm vitet e fundit. Po flisnim edhe me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, se çfarë po bën Edi Rama, ai po shfaros popullsinë shqiptare. Ka me dhjetëra fshatra që nuk kanë asnjë derë shtëpie të hapur. Banka Botërore në  raportin e saj të fundit ka thënë se gjysma e popullsisë jeton në varfëri ekstreme në Shqipëri. Në këtë rajon me pasuri natyrore, a mund të jetojë me ndihmë ekonomike një familje që merr mesatarisht 3500 lekë të reja në muaj? Gjysma e familjeve kuksiane jetojnë me gjysmë dollari në ditë? Gjendja në Shqipëri është bërë alarmante, ajo është bërë jeshile prej kanabisit. Ky është një rrezik që më vonë do të ketë efekte më të mëdhaja te fëmijët dhe familjet tona”.
Deklaratat e deputetes Albana Vokshi u bënë në Kukës në takimin me Lidhjen Demokratike të Gruas ku mori pjesë edhe Presidentja e Forumit të Grave Popullore Europiane, Doris Pack dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, znj. Kimete Bytyci dhe këshilltarja e Kryeministrit të Kosovës, Znj. Mybera Mustafa.

Exit mobile version