Gruevski i fshehur në Hungari, kërkon strehim politik

Pas verifikimeve të shumta, ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë ka arritur të konfirmojë se IP adresa prej ku ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka njoftuar se ndodhet në Hungari është e vërtetë. Prezencën e Gruevskit në Budapest dhe kërkesën e tij për të kërkuar azil politik e ka konfirmuar edhe policia hungareze.
Fletarrest ndërkombëtar për Gruevskin
Policia e Maqedonisë ka kërkuar nga Gjykata Penale lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për Gruevskin. Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ka thënë se e vetmja gjë që duhet të bëhet është të refuzohet kërkesa për azil dhe Nikolla Gruevski të ekstradohet në Maqedoni dhe ta vuaj dënimin. “Është e palejueshme që një vend anëtar i BE-së të mbështesë një person të tillë. Nikolla Gruevski nuk ka absolutisht kurrfarë kërcënimi politik që ai të kërkojë azil. Deri tani në asnjë moment as Nikolla Gruevski, e as anëtarët e sigurimit të tij, nuk kanë denoncuar në MPB se dikush i kërcënon”, ka thënë Spasovski.
I pyetur se a ka pasur mbështetje logjistike Gruevski gjatë arratisjes nga brenda apo nga vendet fqinje, Spasovski përgjigjet:
“Shihet qartë se secili që dëshiron të bëjë një veprim, hap të tillë, duhet të ketë mbështetje dhe në atë rast do të punojmë në detektimin, sigurimin e informacioneve, të dhënave për atë se kush i ka dhënë mbështetjen”, thekson Spasovski.
Ministri Oliver Spasovski nuk mendon për dorëheqje pasi sipas tij përgjegjësinë duhet ta marrë Gjykata, për shkak se nuk caktoi masën e paraburgimit. “Unë mendoj se përgjegjësinë duhet të bartin ata që nuk e përcaktuan masën e paraburgimit për ata që mund të ikin nga vendi. Imagjinoni: Jepet paraburgim për vjedhje të rëndë, ndërsa për vepra të rënda penale nuk ka paraburgim. Policia punon me urdhër të gjykatës.Kodi Penal tregon se si duhet të trajtohen këta persona”,vlerson Spasovski.

PSP do ta gjykojë Gruevskin në mungesë
Katica Janeva prokurorja kryesore e Prokurorisë Speciale ka thënë se për lëndën “Titanik” ka kërkuar paraburgim për Nikolla Gruevskit, por se Gjykata Penale i ka refuzuar dhe ka sjellë masa tjera kujdesi ndërsa për rastin “Tanku”, nuk është kërkuar paraburgim.
“Për rastin “Tanku” ku Gruevski është dënuar me dy vite burg, ne nuk kërkuam paraburgim duke vlerësuar se ai rregullisht vinte në gjykatë dhe ishte deputet në Kuvend”, ka deklaruar Katica Janeva. Ajo pret ekstradimin e Gruevskit, sepse tani ai me siguri do të gjykohet në mungesë. Por kjo nuk do të prishë rrjedhën e provave, vlerson prokurorja Janeva. Në procedurën gjyqësore ka 20 raste të prokurorisë speciale, andaj sipas Janevës institucionet nuk duhet të fajsohen me njëra-tjetrën për fajin e arrestimit të Gruevskit. Janeva shprehet optimiste se Gruevski do të ekstradohet në vend dhe do të gjykohet edhe për akuzat tjera.
Bashkëpartiakët e Gruevski dënojn aktin e arratisjes
Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska që akuzohen së bashku me ish-kryeministrin e arratisur Gruevski, kanë deklaruar se nuk do të largohen nga Maqedonia dhe se aktualisht ndodhen në Shkup.
“Unë jam në Maqedoni dhe nuk do të më shkonte kurrë në mendje të ikja kudoqoftë”, ka thënë ish-ministrja Jankullovska. Janakievski dhe Jankullovska kanë dënuar aktin e arratisjes së Gruevskit, meqë sipas tyre kjo mund të ndikoj në proceset gjygjësore ndaj tyre.
KE nuk komenton kërkesën për azil të Gruevskit
Komisioni Evropian refuzon ta komentojë kërkesën për azil të ish-kryeministrit Gruevski në Hungari, por pohon se sundimi i të drejtës është parim themelor evropian. “Sundimi i të drejtës është parim themelor i Bashkimit Evropian për vendet anëtare ashtu si edhe për vendet kandidate. Presim të gjitha palët të sillen rreptësisht në pajtim me rregullat relevante”, thonë nga Komisioni Evropian.

Exit mobile version