Lufta financiare, Trump sulmon Makronin

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi të martën, me një seri postimesh në twitter Francën dhe presidentin e saj Emmanuel Macron, duke përmendur sondazhet që flasin për mbështetje të ulët ndaj tij si dhe kritikuar ashpër tarifat franceze ndaj eksportit të verës amerikane apo faktin që Franca nuk e ka plotësuar objektivin për shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të NATO-s.
“Emmanuel Macron-i sugjeron ndërtimin e një ushtrie të vet për të mbrojtur Evropën nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia”, shkruante Presidenti Trump në Twitter. “Por në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore ishte Gjermania, – si funksionoi kjo për Francën? Ata kishin nisur të mësonin gjermanisht në Paris, përpara se të mbrinin amerikanët. Paguaj ose jo për NATO-n!”, shkruante më tej ai.
Zoti Trump i ka sulmuar vazhdimisht aleatët e Amerikës në NATO, aleanca kryesore që Perëndimi ka krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, për arsye që lidhen me mos plotësimin e objektivit për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, kryesisht për armatime dhe ushtrinë.
Tetë nga 29 vende të NATO-s e kanë përmbushur aktualisht objektivin e vendosur prej 2 për qindësh. Shpenzimet e Francës për mbrojtjen janë 1.82 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por Parisi ka bërë të ditura planet për t’i rritur gradualisht fondet ushtarake për të arritur objektivin e NATO-s deri në vitin 2025. Në krahasim, shpenzimet amerikane për mbrojtjen llogariten në 3.1 për qind të një ekonomie udhëheqëse në botë prej 19.4 miliardë dollarësh.
Presidenti Trump e ka shpallur veten një “nacionalist” bazuar tek një filozofi që e konsideron Amerikën të parën në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por zoti Macron shprehu keqardhjen mbi nacionalizmin në rritje në të gjithë botën, duke e cilësuar atë si “tradhti ndaj patriotizmit”.

Të martën zoti Trump shkruante në twitter: “problemi është se Emmanuel-i gëzon një nivel shumë të ulët mbështetjeje në Francë, 26 për qind dhe vendi vuan nga një shkallë papunësie prej pothuajse 10 për qindësh. Meqe ra fjala, nuk ka vend më nacionalist se Franca, njerëz shumë krenarë dhe me të drejtë! Ta bëjmë Francën sërisht madhështore”, shkruate më tej zoti Trump.
Presidenti Trump, perandoria e biznesit e të cilit përfshin dhe një kantinë verërash në shtetin e Virxhinias, u ankua edhe për tarifat franceze mbi eksportet e verës amerikane.
Franca ka vendosur tarifa më të larta për verërat amerikane, por dallimi monetar është relativisht i vogël. Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur tarifa ndaj verës franceze që variojnë nga 5 deri në 14 cent për shishe, kundrejt 11 deri në 29 cent për shishe që Franca u ka vendosur verërave të importuara nga Shtetet e Bashkuara.
Kritikët e zotit Trump bënë ironi me të në median sociale, pasi presidenti nuk shkoi për një vizite të shtunën në një varrezë të amerikanëve të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore, për shkak se po binte shi. Udhëheqës të tjerë botërorë në Paris vizituan varrezat e tyre kombëtare në të njëjtën ditë dhe shefi i stafit të zotit Trump John Kelly, shoqëruar nga zyrtarë të tjerë amerikane e vizituan varrezën amerikane dhe vendosën kurora për të nderuar të rënët në luftë.
Si sqarim zoti Trump shkruante: “meqë ra fjala, kur helikopteri nuk mund të fluturojë në varrezën e parë në Francë, për shkak se nuk dukej asgjë, unë sugjerova të shkojmë me makinë. Shërbimi Sekret ka thënë jo, është shumë larg aeroportit si dhe për shkak të bllokimit të të gjithë Parisit. Fjalimi do jetë nesër në varrezat amerikane dhe nën shiun që derdhet rrëke. Pak njoftime janë bërë nga mediat e rreme! “, shkruate ai.

Exit mobile version