Guardian: Pse BB mbështet ndërtimin e termocentralit në Kosovë

Banka Botërore pretendon se me ndërtimin e «Kosovës së Re» do të modernizohej infrastruktura energjetike, por edhe do ta kurthonte të ardhmen e vendit të vogël e të varfër me lëndë djegëse, shkruan «Guardian». Në ditët e para të dhjetorit të vitit 2015, derisa bisedimet për klimën në Konferencën e Parisit po zgjateshin përtej afatit të caktuar kohor, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ia ktheu shpinën ekipit të negociatorëve amerikanë dhe mori rrugën drejt Kosovës për të shprehur përkrahjen për një termocentral që do të ndërtohet nga amerikanët me financim të Bankës Botërore. Teksa po fliste përkrah kryeministrit Isa Mustafa, Kerry u deklaroi gazetarëve në Aeroportin e Prishtinës se termocentrali «Kosova e Re» do ta ndihmonte vendin e vogël e të varfër të «jepte pjesën e vet të kontributit ndaj kësaj përpjekjeje të shteteve që janë zotuar të merren me ndryshimin klimatik», duke zëvendësuar termocentralit e vjetër të kohës së luftës së ftohtë që ndot jashtëzakonisht shumë ambientin. Kerry pastaj u kthye ngutshëm në Paris dhe ndihmoi që të arrihej marrëveshja që synon t’i jepet fund përdorimit të djegies së fosileve.
Derisa shumë shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të ndërtojnë termocentrale qymyri në territoret e tyre, lëndët djegëse konsiderohen diçka e dalë mode në botën e financave të zhvillimit. Shtetet e Bashkuara dhe Banka Botërore kanë kufizuar financimin për termocentralet e reja në rrethana të jashtëzakonshme – andaj është shumë e çuditshme që termocentrali i Kosovës po konsiderohet si i vetmi që po përkrahet nga Banka Botërore kudo në botë. Pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës beson se do të marrë miratimin përfundimtar prej Bankës Botërore kur projekti të hidhet në tavolinën e bordit të saj, me gjasë në fund të këtij viti. Pritet që mbështetje të madhe t’i jepet prej delegacionit amerikan.
«Nuk besoj se ndonjëri prej partnerëve tanë dëshiron ta rrezikojë të ardhmen e vendit tonë», ka deklaruar ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci. Ka pak argumente se shteti i ri i Kosovës – që ende njihet nga 111 prej 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara – është ngujuar në sistemin e vjetër të energjisë elektrike që 97 për qind të nevoja i përmbush me dy termocentralet e vjetra që janë ndërtuar para 46 e 35 vitesh. Kosova është shteti i pestë në botë me rezervat e linjitit në botë. Qytetarët e Kosovës e quajnë «ari i zi». Pavarësisht prej sasisë së madhe të qymyrit, Kosova përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Furnizimi i çrregullt u shkakton mbi 300 milionë euro në vit humbje bizneseve, ka bërë të ditur Stavileci.
Miniera e qymyrit në Siboc raportohet se ka rezerva prej më shumë se një miliardë tonelatash linjiti – të formës më të papastër të qymyrit. Duhet të zgjerohen minierat nëse do të ndërtohet termocentrali i ri, duke rrezikuar mirëqenien e mijëra familjeve në fshatrat përreth. Në zyrën e tij në Prishtinë, ndërpritet rryma derisa Petrit Selimi flet për nevojën për termocentral. Zëvendësministri i Jashtëm rrudh sytë teksa ndizet drita fluroshente sipër kokës. «Kosova është vend që është bekuar dhe mallkuar prej faktit ka qymyr me bollëk», thekson ai. «Është fjalë e fëlliqtë, është teknologji e fëlliqtë. Por tani për tani jemi të varur prej të gjitha këtyre fëlliqësive. Lloj shumë i vjetër sovjetik teknologjie».

Exit mobile version