Shqiptarët gjenerojnë më shumë plehra se rajoni e Europa Lindore

Shqiptarët gjenerojnë më shumë mbetje urbane se vendet e rajonit dhe shtete të tjera të Europës, si Republika Çeke, Estonia, Sllovakia, Rumania, Hungaria, Sllovenia etj. INSTAT ka publikuar të dhëna mbi sasinë vjetore të mbetjeve të gjeneruara për banor në shkallë vendi, që ka patur trend në rritje përkatësisht me: 396 kg/banor në vitin 2015, në 355 kg/banor në vitin 2014 dhe 321 kg/banor në vitin 2013. Të dhënat për mbetjet urbane të gjeneruara në Europë janë marrë nga Eurostat. Mesatarja e BE- është 475 kg/frymë. Shteti që gjeneron më shumë plehra është Danimarka, me 759 kg/frymë, i ndjekur nga Qipro me 626 kg/frymë dhe Gjermania me 618 kg/frymë.
Në raport me rajonin, Shqipëria gjeneron më shumë plehra se Maqedonia (370 kg/frymë) dhe Serbia (302 kg për frymë) dhe më pak se Mali i Zi (507 kg/frymë). Shteti më i “pastër” në Europë është Rumania me 272 kg/frymë. Në gjithë Europën është tendencë ulja e gjenerimit të mbetjeve, ndryshe nga Shqipëria që vetëm po e rrit këtë tregues. Për më tepër, vendi ynë është larg ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave të brendshme.
INSTAT raporton se në Shqipëri mbetjet e ngurta urbane të menaxhuara me fonde publike kanë patur trend në rritje ndër vite, shpjeguar kjo ndër të tjera me sjelljen shoqërore të banorëve si refleksion i ndryshimeve në mënyrën e jetesës së tyre. Në vitin 2015 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,4 milion ton mbetje, në vitin 2014 rreth 1,2 milion ton dhe në vitin 2013 sasia e mbetjeve të menaxhuar me fonde publike ishte 950 mijë ton. Sasia e mbetjeve industriale të përziera në burim bashkë me ato urbane ka patur rritje jo lineare nga viti 2013 në vitin 2015. Në vitin 2015 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara ishte 94 kg/banor, në vitin 2014 ishte 90 kg/banor dhe në vitin 2013 ky tregues ishte 44 kg/banor.
Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk ka qenë konstant në tri vitet e vrojtuara duke shënuar luhatje të këtij treguesi në vlerat 60% në vitin 2015, 63% më 2014 dhe 51,9% në vitin 2013.  Në përbërjen e mbetjeve urbane përbërës kryesor janë mbetjet organike. Në mbetjet e menaxhuara sasia e mbetjeve organike ka ardhur në rritje përkundrejt mbetjeve në total. Në vitin 2015, mbetjet organike përbënin rreth 51,4% të sasisë nga 50,2 % që ishte më 2014 dhe 41,0% në vitin 2013 ndaj totalit të përgjithshëm.
Mbetjet e menaxhuara janë trajtuar kryesisht duke i depozituar ato në landfille dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të pushtetit vendor. Depozitimi i rregullt i mbetjeve ka ardhur në rritje përkatësisht në vitin 2015 u depozituan 68,8%, në vitin 2014 u depozituan 63,4% dhe në vitin 2013 u depozituan 50,6 % e sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara në shkallë vendi.

Exit mobile version