Guardiola përplaset me fizioterapistin

Eliminimi nga Champions League ka krijuar një situatë të tensionuar në kampin e Bayernit të Mynihut ku nervat mes drejtuesve mbeten të tendosura. Trajneri Pep Guardiola nuk arrin ta përtypë faktin që për të tretën sezon rresht dështon në objektivin për të arritur finalen, duke prishur përfundimisht marrëdhëniet edhe me një pjesë të stafit. Sipas asaj që zbulon “Bild”, trajneri katalanas ka sulmuar ashpër departamentin mjekësor pas ndeshjes kundër Atleticos së Madridit, madje ai ka qenë shumë pranë konfrontimit fizik me fizioterapistin e skuadrës. Sipas të dhënave, Guardiola nuk ka arritur ta përtypë faktin se lojtarët e skuadrës së tij kërkojnë shumë kohë për t’u rikuperuar.
“Te Atletico, Godin u rikuperua në kohë rekord, ju pse nuk arrini ta bëni një gjë të tillë”, mësohet t’u ketë thënë Guardiola pjestarëve të stafit mjekësor. Gjithmonë sipas “Bild”, njëri prej fizioterapistëve, emri i të cilit nuk është bërë publik, i ka kërkuar trajnerit që të tërhiqet nga qëndrimi i tij, duke i bërë me dije se përveç Robben e Badstuber, pjesën tjetër të skuadrës e ka në dispozicion. Ishte Ribery, ai që ndërhyu për të ulur tensionin. Kjo nuk është hera e parë që Guardiola përplaset me stafin mjekësor të skuadrës, pasi një vit më parë, ai detyroi mjekun historik të skuadrës, Wilhelm Müller-Wohlfahrt të jepte dorëheqjen.

Exit mobile version