Një nga deputetët e Ramës, i cili fiton rregullisht tendera nga qeveria ka thyer çdo rekord duke arritur deri aty sa drejtuesit e kompanisë së tij të jenë edhe në komisionet që përcaktojnë fituesit e tenderave. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e PD, Duma ka denoncuar dje këtë skandal të qeverisë.
“Një prej oligarkëve të Edi Ramës, që kap tendera në çdo institucion është deputeti i tij Sadri Abazi, me kompaninë ‘Alko-IMPEX’. Dy ditë më parë, ne denoncuam një rast flagrant se si ai mori 780 milionë lekë nga Bashkia Librazhd me ndërmjetësin e tij Taulant Balla, që është komisari i kësaj zone, ndërkohë që të njëjtën punë ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak.
Korrupsioni i oligarkëve të Ramës ka prishur garën dhe konkurrencën dhe është i pranishëm në çdo zyrë e në çdo formë.
Dhe sikur të mos mjaftonte lidhja e ngushtë me Kryeministrin, me shefin e përgjithshëm të tenderave dhe lidhja me komisarët si Taulanti, këta oligarkë janë kujdesur të kapin dhe institucionet e prokurimit.
Faktet janë tronditëse dhe tregojnë tentakulat e kësaj hajdutërie, të vjedhjes së parave të shqiptarëve, që janë shtrirë kudo.
Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje.
– A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike?
– A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?
Komisioni i Prokurimeve Publike është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi.
Nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
Ky pra, është korrupsioni i Edi Ramës.
Korrupsion që po shton luksin e oligarkëve dhe klientelës së tij e që po varfëron çdo ditë qytetarët e vendit.
Kjo është arsyeja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri”, thuhet në deklaratën e PD.