Dimitri Seluk, agjenti i Yaya Toure sulmon sërish Pep Guardiolën. Me mbërritjen e trajnerit spanjoll te Manchester City, mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Citiziens në vitet e fundit, është zhdukur papritur nga radarët. Pep Guardiola nuk e pëlqen aspak Yaya Toure-në dhe i kërkoi atij largimin nga “Etihaad Stadium”, por 33-vjeçari afrikan vendosi të respektojë kontratën duke qëndruar te City. Arsyeja se përse trajneri katalanas nuk do Yaya Toure-në, ka të bëjë me faktin se Guardiola ka një raport shumë të keq me agjentin e futbollistit, ukrainasin Dimitri Seluk, i cili kur spanjolli ishte pjesë e Bayern-it doli me deklaratë të fortë në media kundër Guardiolës, duke theksuar se kampionatin gjerman me bavarezët e fiton edhe gjyshi i tij.
Marrëdhëniet mes palëve janë përkeqësuar që në vitin 2009 kur trajneri aktual i City-t i largoi Tourenë nga Barcelona. Këtë vit te skuadra angleze, Guardiola e ka lënë jashtë listës Champions mesfushorin dhe nuk e ka aktivizuar aspak në këtë sezon, madje as në Kupën e Ligës. Ky fakt nuk i ka pëlqyer aspak Dimitri Seluk-ut, i cili në një intervistë të dhënë së fundmi ka sulmuar ashpër 45-vjeçarin, duke theksuar se Guardiola po poshtëron Toure-në. Trajneri pak kohë më parë i vendosi një kusht menaxherit të lojtarit. Guardiola dëshironte që Seluk t’i kërkonte falje për të trajtuar Toure-në si të gjithë lojtarët e tjerë, por ukrainasi nuk pranoi. Lufta mes të dyve vazhdon. Seluk bëri gjithashtu me dije se kur mori vesh që klienti i tij kishte mbetur jashtë listës Champions, telefonoi trajnerin spanjoll, por nuk mori asnjë përgjigje nga Guardiola.