Chelsi nuk i ndahet kreut. Londinezët regjistruan fitoren e katërt radhazi duke mundur 2-0 në transfertë Southampton e duke konfirmuar formën e mirë që po kalojnë pas një tjetër prove force në “Saint Mary”. Skuadra e Contes ndjeu që në fillim presionin e vendasve dhe zgjidhjen e gjeti duke ndëshkuar Southamptonin me Eden Hazard, që tregoi se po kalon një moment të shkëlqyer duke realizuar një gol fantastik.
Në epërsi Chelsi e kishte të thjeshtë të menaxhonte lojën në pritje për të goditur sërish, gjë që e bëri në minutën e 55-të me Diego Costën që dyfishoi shifrat. Nga ky moment në fushë ishte më dominues Southampton që në të 76-tën goditi traversën me Davis, ndërsa në të 85-tën ishte Austin që pa t’i anulohej një gol. U mbyll gjithçka 0-2 për blutë e Londrës që vazhdojnë të jenë vetëm 1 pikë pas treshes kryesuese.